Pronarë të agjencive dhe tregtarë nga Komuna e Podujevës kanë kundërshtuar mbylljen e terminalit doganor në Merdar. Ata të premten kanë organizuar një protestë para objektit të terminalit, skaj magjistrales Podujevë-Merdar. Sipas tyre, mbyllja e këtij terminali i dëmton këto agjenci dhe bizneset e Komunës, pasi për çdo zhdoganim duhet ta dërgojnë mallin nëpër terminalet e komunave të tjera e pastaj ta kthejnë sërish në Podujevë. Protestuesit kanë tentuar të marshojnë deri në pikën kufitare, por nuk janë lejuar nga Policia e Kosovës
Dhjetëra pronarë të agjencive doganore bashkë edhe me pronarë të disa bizneseve të Komunës së Podujevës kanë protestuar të premten kundër mbylljes së terminalit doganor në Merdar. Ata kanë thënë se mbyllja e këtij terminali dëmton këto agjenci dhe bizneset e Komunës, pasi që për çdo zhdoganim duhet ta bartin mallin në terminalet nëpër komunat tjera e pastaj ta kthejnë sërish në Podujevë.
Sipas tyre, kjo u shkakton shpenzime shtesë këtyre bizneseve.
“Problemi kryesor këtu është me mbylljen e terminalit, ku shkakton shumë dëme te bizneset llapjane. Ne si agjenci doganore mund të veprojmë në çdo terminal në pikat kufitare që janë. Kemi të drejtë të veprojmë. Por, si biznese llapjane do të kenë shumë probleme me rrugën, me kosto të shpenzimeve të larta, kur terminali doganor edhe në Prishtinë, edhe në të gjitha pikat e tjera është privat. Pse do të duhej të mbyllej një privat, përderisa nuk ka të shtetit? Së pari duhet të ndërtohet një shtëpi, pastaj duhet rrënuar e vjetra e jo kështu çfarë janë duke bërë”, ka thënë Qazim Zhitia, pronar i një prej agjencive.
Ai ka thënë se për mbylljen e këtij terminali janë njoftuar të enjten. Sipas tij, njoftimi do të duhej të bëhej së paku 30 ditë përpara.
Protestuesit kanë bartur pankarta, në të cilat shkruhej: “Kush i mbulon shpenzimet tona?”, “Ku do me i çu kamionët, te Devolli a Margarita?”, “Fitorja e VV-së në Podujevë, mbyllja e terminalit!”, e të tjera.
Gjatë protestës ata kanë tentuar të marshojnë deri në pikën kufitare në Mardar, por nuk janë lejuar nga Policia e Kosovës.
“Kjo është shumë shkelje e juaj që nuk po na lini të shkojmë skajeve deri te kufiri edhe me u kthye me përfundu protestën”, u ka thënë policëve Avdyl Salihu, pronar i një lulishteje. “Unë si privat me marrë një kamion lula dhe me e çu në Prishtinë me e doganu e me kthye prej Prishtine në Podujevë është marrinë e madhe”.
Në një njoftim të Doganës së Kosovës thuhet se nga dita e shtunë personeli i saj do të tërhiqet nga terminali doganor “Diana”.
Përfaqësuesi i këtij terminali, Blerim Sadiku, ka thënë se kanë aplikuar për licencë, por nuk kanë marrë kurrfarë përgjigjeje.
“Dje na ka ardhur një informatë për mbyllje të terminalit, që nga nesër nuk funksionon. Ne kemi aplikuar për licencë, por nuk kemi përgjigje as pozitive, as negative. Do të shohim se çfarë do të ndërmarrë Qeveria. Ne i kemi shpenzuar të gjitha mundësitë, e vetëm një informatë na ka ardhë që do të mbyllet terminali se nuk është stafi i doganës këtu. Dhe kjo është pakënaqësia jonë. Është Podujeva ajo e cila po mbetet pa terminal. Ne do t’i ofrojmë të gjitha mundësitë shtetit derisa të bëhet një zgjidhje”, ka theksuar Sadiku.
Kundër mbylljes së këtij terminali janë shprehur edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq protestuesit kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera për të kundërshtuar mbylljen e këtij terminali.