Demokracia në Veprim (DnV) ka shprehur shqetësimin për vendimin e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos i certifikuar kandidatët e Listës Serbe për deputetë.
Në një reagim të DnV-së thuhet se kjo ka ndodhur pavarësisht se ata kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente.
“Procesi i certifikimit është një fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, e cila duhet të bazohet në kriteret ligjore dhe praktikat e konsoliduara të administrimit të zgjedhjeve, jo në interpretime apo vendimmarrje të motivuara politikisht”, thuhet në reagim.
DnV-ja ka vlerësuar se disa herë radhazi KQZ-ja ka devijuar nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme.
“Përvoja e deritanishme tregon se vendime të tilla, brenda pak ditësh, zakonisht anulohen ose ndryshohen nga instancat e larta të ankesave, duke krijuar vonesa të panevojshme dhe minuar besimin në administrimin zgjedhor”, thuhet në reagim.
Edhe
PZAP-ja certifikon kandidatët për deputetë të Listës Serbe
Tutje thuhet se kompetencën për të verifikuar kandidatët nëse kanë plotësuar kushtet apo nuk i kanë plotësuar sipas Ligjit, e ka vetëm Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll financiar të subjektiveve politike.
“Sipas neni 27 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Zyra i rekomandon KQZ-së për ose kundër certifikimit. Zyra këtë veprim e ndërmerr pasi që ka shqyrton listat e kandidatëve. Sipas Ligjit, kompetenca e KQZ-së në këtë rast është vetëm formale për ta votuar dhe miratuar vendimin e një trupe profesionale të KQZ-së. Për më tepër, sipas nenit 30 të ligjit, përshtatshmëria juridike e kandidatëve vlerësohet vetëm mbi bazën e vlerësimeve të institucioneve relevante, filtër ky i përmbushur nga kandidatët e subjektit në fjalë”, thuhet në reagim.
DnV-ja u ka bërë thirrje anëtarëve të KQZ-së, që të shmangin abstenimet dhe vendimmarrjet e tilla, por të sigurojnë që proceset zgjedhore të mos dëmtohen nga vendime që tejkalojnë kompetencat ligjore ose praktikën e deritanishme.
Kandidatët që synojnë të bëhen deputetë nga radhët e Listës Serbe nuk kanë marrë aprovimin e KQZ-së për të garuar në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Edhe
Ngrihen shqetësime për moscertifikimin e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe
Certifikimi i tyre, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, nuk i mori votat e mjaftueshme, ndonëse nga Zyra për Certifikim të Subjekteve Politike deklaruan se asnjë nga kandidatët e kësaj partie nuk bie ndesh me dispozitat e parapara.
Nga gjithsej 11 anëtarë sa ka KQZ-ja, kundër ishin dy vota, për certifikimin e Listës Serbe ishin tri vota e 6 abstenime.