Arbëri

KQZ-ja nuk certifikon kandidatët e Listës Serbe, VV-ja voton kundër

kqz

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 1,146 kandidatë për deputetë të 23 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Por, ka refuzuar certifikimin e atyre të Listës Serbe. 

Në mbledhjen e KQZ-së, drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike, Besnik Buzhala, ka thënë se asnjë nga kandidatët e Listës Serbe nuk bie ndesh me dispozitat e përcaktuara.

Megjithatë, kundër tyre votuan dy anëtarë të KQZ-së, 6 abstenuan dhe tre ishin për. 

Sami Kurteshi e Alban Krasniqi nga Vetëvendosja votuan kundër, abstenuan PDK, AAK, LDK dhe 2 anëtarët nga komunitetet joserbe.


Certifikohet Koalicioni Vakat pa një kandidate, anëtarët e KQZ-së thonë se nuk janë të sigurt për etninë e saj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar certifikimin e kandidates nga koalicioni VAKAT, Ena Krasniqi, pas një diskutimi mes anëtarëve. Megjithatë, KQZ ka certifikuar koalicionin VAKAT si subjekt, pa Krasniqin në të.

Çështjen e Krasniqit e ka ngritur Almir Saiti, i cili pasi ka thënë se ajo ka kandiduar si shqiptare në listën e boshnjakëve, është larguar nga mbledhja e KQZ-së. 

Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike, Buzhala, ka thënë se në regjistrin civil nuk ka fushë përkatëse që një shtetas të Kosovës e identifikon në bazë të etnisë, e rrjedhimisht “e kemi të pamundur me ditë cilës etni”. Ai ka shtuar se Krasniqi ka deklaruar se ka lindur në Sarajevë dhe se është boshnjake. 

E kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se lëshimi i mbledhjes nga Saiti nuk ishte në rregull. 

“Po mendoj që u emocionu pak më shumë se që është dashtë. Edhe me u largu nga salla pasi i lëshoj gjithë ato akuza nuk po me duket korrekte. Unë asnjëherë jo zyrës po as sekretariatit as ndonjë zyrtari nuk tentoj as me i bo presion as me i tregu se qysh më vepru”, ka thënë Radoniqi.


 

Mbi 7 mijë votues më shumë në zgjedhjet e 28 dhjetorit sesa në ato lokale

28 min. më parë / 10 dhj 2025 18:21
kqz

Photo: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Votuese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,076,290 votues. 

Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, është 1,999,205 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085 votues.

Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në Zgjedhjet Lokale të cilat u mbajtën më 12 tetor 2025, sipas KQZ-së.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.