Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Punëtorët e “Pastrimit” në Lipjan druajnë se do të mbesin pa punë pas futjes së privatit “në lojë”

Pastrimi

Pas humbjes së shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në Lipjan, 58 punëtorë të Kompanisë “Pastrimi” kanë protestuar të hënën, pasi druajnë se do të mbesin pa punë. Komuna ka kontraktuar një operator privat, pasi, sipas saj, ndërmarrja publike nuk ka ofruar shërbim për një kohë të gjatë. Punëtorët përgjegjësinë për këtë situatë ia lënë menaxhmentit të kompanisë, e kryeshefi i saj thotë se ata nuk do të mbesin pa punë

58 punëtorë të Kompanisë “Pastrimi” në Lipjan kanë protestuar të hënën, pasi po druajnë se do të mbesin pa punë. 

Në fund të tetorit, Komuna e Lipjanit shërbimet për mbledhjen e mbeturinave ia ka dhënë një kompanie private, rrjedhimisht këtë shërbim nuk mund ta kryejë më “Pastrimi”, që është ndërmarrje publike. 

Për situatën e krijuar, Mehdi Krasniqi, përfaqësues i punëtorëve të “Pastrimit”, përgjegjës e mban menaxhmentin e kompanisë. 

Sipas tij, kamionët që shërbejnë për grumbullimin e mbeturinave nuk janë riparuar, çka ua ka pamundësuar kryerjen e shërbimit.

“Me dy kamionë kemi operuar pesë a gjashtë muaj, kamionët janë djegur, tre ndërrime. Punëtorët i kemi thirrur në tri ndërrime të punojnë, janë lodhur e mërzitur, por megjithatë i kanë dalë zot punës së vet. Kurse kompania nuk na i ka dhënë mundësinë që të kemi ne mjete për ta kryer punën edhe pse i tubojmë inkasim, diku 60-70 mijë euro i dërgojmë në Prishtinë dhe thirren se nuk ka mjete për t’i riparuar kamionët apo për të blerë pjesë për ta”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi dyshon se kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica, po e saboton me qëllim njësinë në Lipjan, në mënyrë që shërbimet t’i marrë një kompani e afërt me të. 

“Iu ka krijuar mundësia një operatori privat, nëse nuk gaboj, dhashtë zoti të mos jetë ashtu, një bashkëpunim i Kompanisë me atë kompaninë private dhe është ardhur deri këtu ku jemi”, ka thënë ai.

Këto pretendime i ka cilësuar si të pavërteta kryeshefi Reçica. 

“I hedhim poshtë në mënyrë kategorike pretendimet për sabotim të qëllimshëm të punës së kompanisë apo për ndonjë lidhje familjare që do të kishte ndikuar në angazhimin e operatorit privat”, është shprehur Reçica. 

Reçica ka konfirmuar se Njësia në Lipjan ka mbetur pa kamionë, por sipas tij, përgjegjësinë për mirëmbajtje e ka vetë menaxhmenti lokal.

Reçica ka thënë se 58 punëtorët e njësisë së Lipjanit nuk do të mbesin pa punë. 

“Ashtu siç e kemi njoftuar edhe menaxherin e Njësisë së Lipjanit përmes komunikimeve zyrtare me e-mail, punonjësit do të sistemohen në njësitë e tjera të kompanisë, në pozitat e lira dhe ekuivalente me kualifikimet dhe përvojën e tyre, aty ku ekziston nevoja operative për angazhimin e tyre. Qëllimi ynë është ruajtja e vendeve të punës dhe shfrytëzimi racional i kapaciteteve 
njerëzore të kompanisë”, ka thënë ai.

E Bekim Bytyqi, punonjës në kompani, ka kërkuar ndihmë nga qeverisja lokale.

“Unë s’e di si do t’ia dalim ne, a çfarë do të bëjmë, a kush do të na ndihmojë neve. Edhe kryetari do të mund të na ndihmonte neve, sepse neve duhet ta na ndihmojë e të mos shikohet partia, a ia jep këtij apo atij tjetrit (v.j. votën), por neve të na ndihmoi dikush”, ka thënë Bytyqi.

Në komunë kanë thënë se përgjegjësia për situatën duhet kërkuar tek udhëheqësia e kompanisë. 

Zëdhënësja Besarta Qadraku ka deklaruar se niveli lokal i ka dalë vazhdimisht në ndihmë kompanisë, duke i siguruar kamionë me qira, por sipas saj, situata me mbeturina në territorin e komunës i ka detyruar të lidhin kontratë me një kompani private.

“Komuna e Lipjanit është detyruar të ndërmarrë hapa konkretë për lidhjen e një kontrate për grumbullimin e mbeturinave, kjo si pasojë e mosofrimit të shërbimeve për një kohë të gjatë nga Kompania “Pastrimi”. Ky vendim ka ardhur me qëllim të vetëm që të mos lejohet përkeqësimi i situatës në terren dhe të sigurohet ky shërbim i rëndësishëm për qytetarët”, ka thënë Qadraku.

Komuna e Lipjanit ka lidhur kontratë me kompaninë “Ledi Sh.P.K.”, me seli në Ferizaj, për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave në territorin e komunës në kohëzgjatje prej tri vjetësh.