LAJMET E MBRËMJES

S’certifikohen kandidatët për deputetë të Listës Serbe. Ngrihen dyshime për “kontrabandim” të kandidatëve

kqz

Foto: Driton Paçarada

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk i kanë certifikuar kandidatët për deputetë nga Lista Serbe. Në mbledhjen e KQZ-së dyshime u ngritën edhe për kontrabandim të kandidatëve shqiptarë për deputetë në listat e subjekteve politike nga komunitetet joshumicë.

Kandidatët që synojnë të bëhen deputetë nga radhët e Listës Serbe nuk kanë marrë aprovimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të garuar në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Certifikimi i tyre nuk i mori votat e mjaftueshme, ndonëse nga Zyra për Certifikim të Subjekteve Politike deklaruan se asnjë nga kandidatët e kësaj partie nuk bie ndesh me dispozitat e parapara.

Nga gjithsej 11 anëtarë sa ka KQZ-ja, kundër ishin dy vota, për certifikimin e Listës Serbe ishin tri vota e 6 abstenime.

Diskutime në mbledhje ngjalli lista e kandidatëve të Koalicionit Vakat.

Anëtari i KQZ-së nga komuniteti boshnjak, Almir Saiti, ngre shqetësimin se në listën e këtij subjekti politik janë përfshirë kandidatë nga komunitetet e tjera në mënyrë që të uzurpohen vendet e garantuara në Kuvend.

“I nderuar kryesues, në këtë rast, ju akuzoj juve drejtpërsëdrejti se jeni bashkëpjesëmarrës në këtë, bashkë me drejtorin e zyrës, ngase me mosveprimin tuaj, siç edhe e dini, kodi i procedurës penale thotë se edhe kur nuk veproni, nuk ndërmerrni gjëra, lejoni që të shkelen të drejtat e një komuniteti të caktuar. Në këtë rast lejoni dhe silleni, në vend se si gjyqtar, gjyqtar apeli, ju silleni si gjyqtar i një ndeshjeje futbolli dhe thoni: Unë do të gaboj, e le ta kontrollojë këtë VAR-i”, tha ai.

Saiti u largua nga mbledhja e drejtori i Zyrës për Certifikim, Besnik Buzhala, deklaroi se etnia e kandidates Ena Krasniqi nuk është arritur të verifikohet nga institucionet nga të cilat është bërë vlerësimi.

Sipas Buzhalës, ASK-ja që posedon të dhëna të tilla nuk i ka ofruar ato për KQZ-në e nga kandidatja Krasniqi kanë pranuar dokumente se ka lindur në Sarajevë e se njëri prind është nga komuniteti boshnjak.

“Ne e dimë që në regjistrin civil nuk ka fushë përkatëse që një shtetas të Kosovës e identifikon në bazë të entisë dhe na rrjedhimisht e kemi të pamundur me ditë cilës etni”, deklaroi Buzhala.

Reagimin e anëtarit Saiti e konsideroi si jokorrekt kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Po mendoj që u emocionua pak më shumë se që është dashtë. Edhe me u largu nga salla pasi i lëshoj gjithë ato akuza nuk po me duket korrekte. Unë asnjëherë jo zyrës po as sekretariatit as ndonjë zyrtari nuk tentoj as me i bo presion as me i tregu se qysh të veprojmë”, tha Radoniqi.

Pas deklarimit të disa prej anëtarëve që nuk mund të marrin pjesë në votimin e certifikimit të listës së koalicionit VAKAT, kryesuesi Radoniqi propozoi që ajo të votohet pa përfshirë kandidaten Krasniqi.

Gjatë mbledhjes anëtarja e komunitetit turk, Mufera Sinik, tha se nga deputeti boshnjak, Rasim Demiri, mori një mesazh përmes së cilit u kritikua për qëndrimin kundër certifikimit të koalicionit VAKAT.

Shqetësimi i saj bëri që mbledhja e KQZ-së të ndërpritet për disa minuta.

E në këtë mbledhje, mes tjerash, KQZ-ja certifikoi edhe Listën Votuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas saj, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,076,290 votues.

Prej tyre 77 mijë e 85 votues janë të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës.