Arbëri

KQZ-ja sërish s’e certifikon Listën Serbe

kqz

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 18:45) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sërish nuk e ka ceritifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë absentime, KQZ-ja nuk e certifikoi Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja serbe votuan për, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër.

Anëtarët nga partitë e tjera abstenuan.

KQZ-ja edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e kishte ceritifikuar Listën Serbe. Por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e kishte urdhëruar KQZ-në ta certifikonte partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Pavarësisht ankesës së LVV-së në Gjykatën Supreme, Lista Serbe kishte marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. 


Kurteshi i VV-së kundër certifikimit të Listës Serbe

Në mbledhjen që është duke u mbajtur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, është deklaruar kundër certifikimit të Listës Serbe.

“Jam kundër rekomandimit për certifikimin e Listës Srpska”, tha Kurteshi.

Nga ana tjetër, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, u shpreh se subjektet politike të regjistruara nuk kanë nevojë për vendim shtesë për t’u certifikuar.

“Unë konsideroj se, në bazë të ligjit dhe rregullores për certifikimin e subjekteve politike, ato që janë të regjistruara pranohen automatikisht dhe nuk ka nevojë për vendim të KQZ-së. Po ashtu kam një çështje tjetër që lidhet me subjektet politike që kanë qenë në koalicione; ato është dashur t’i kryejnë të gjitha obligimet dhe të drejtat që iu takojnë. Po flas për Nismën dhe AAK-në që kanë qenë parti të regjistruara”, tha Elshani.

Edhe anëtari tjetër i PDK-së, Ilir Gashi, theksoi se ligji e trajton qartë çështjen e certifikimit.

“Dua t’i parafrazoj kolegët, por po sfidohen rekomandimet e zyrës dhe kjo është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Siç e thotë neni 16, pika 3, partitë e regjistruara janë automatikisht të certifikuara. Rrjedhimisht, për mua të gjitha subjektet politike janë të certifikuara. Do të doja ta përfillnit këtë ligj, ose të trajtohen subjektet një nga një”, u shpreh Gashi.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, sqaroi çështjen e partive që kanë qenë pjesë e koalicioneve.

“Lidhur me koalicionet, e kemi trajtuar qartë. Neni 19 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, paragrafi 5, thotë se subjekti politik që është anëtar i koalicionit pas përfundimit të mandatit e gëzon të drejtën e fituar para themelimit të koalicionit. E drejta e AAK-së para themelimit të koalicionit ka qenë se ka qenë subjekt parlamentar dhe, si e tillë, AAK përjashtohet nga pagesa e certifikimit dhe mbledhja e nënshkrimeve”, tha Buzhala./ EkonomiaOnline