Arbëri

Diplomati britanik: Fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave

John Stewart Duncan

Diplomati britanik John Duncan tha se e ka kuptuar që fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave.

“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonal dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneralin Agim Çeku në fillim të negocimit e marrëveshjes”, tha Duncan duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit përmes avokates, Nina Tavakoli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Duncan po dëshmon në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas dëshmitarit, Agim Çeku i kishte thënë se nuk mund të merrej vesh për asgjë nëse nuk merrnin pjesë në negociata komandantët e zonave.

“Ai na tha se unë këtë nuk e bëjë dot pa praninë e komandantëve të zonave. Ju duhet të vini në Kosovë tha ai. Unë i besova. Ai ishte shumë ngulmues për këtë çështje. Ai tha se Thaçi nuk ishte i dispouneushëm dhe për ta bërë një gjë të tillë dhe se (Thaçi) duhej të konsultohej. Më pas ai (Çeku) shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë në qoftë se në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”, shtoi diplomati.

Dëshmitari tha se këtë bisedë me Çekun e bëri më 14 qershor 1999 në Tiranë.

Dëshmitari Duncan deklaroi se kjo gjë ishte e pazakontë për shkak se forcat e NATO-s nuk e kanë si praktikë që komandantët e zonave të marrin pjesë në negociata nëse kanë një komandant të lartë.

Diplomati britanik, John Duncan tha në Hagë se funksionimi i UÇK-së nuk ishte si i një ushtrie normale, ku në bisedime do ftohej komandanti për marrëveshje.

Sipas tij, NATO-ja kurrë nuk do të shkonte në nivele rajonale, por përfaqësimi do bëhej nga komandanti kryesor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Si rregull, NATO-ja do të ftonte komandantët e lartë dhe do bëhej një marrëveshje në mes gjeneralit (Wesley) Clark dhe cilitdo që do ishte nga pala tjetër. Nuk do shkonim kurrë në nivel rajonal. Kjo shërben për të kuptuar strukturën hierarkike. Pra, si funksiononte atje”, tha ai.

Duncan tha se me UÇK-në, vështirësia kryesore ishte kjo për shkak se ata nuk kishin strukturë hierarkike.

“Kjo ishte vështirësia që po përballeshim atje sepse nuk kishin strukturë hierarkike. Ishin të organizuar ndryshe. Pushtetet ishin ndryshe në vende të ndryshme”, deklaroi ai.

Duncan tha se në UÇK gjërat funksionin ndryshe dhe se kompetencat i kishin komandantët e zonave.

“Nuk mund të shkonim thjesht të bisedonim me Thaçin apo me zotin Çeku dhe të mendonim se e zgjidhem problemin. S’funksiononin gjërat kështu. Duhej të flisnim me persona që kishin kompetenca dhe ata ishin komandantët e zonave”, tha dëshmitari.

 


Duncan për takimin me UÇK-në: Vinte era luftë, era barut, Ramushi ngjante si në filmat e Rambos

Duke folur për një takim me anëtarët e UÇK-së në qershor të 1999-ës, dëshmitari John Duncan deklaroi se i kujtohet se vinte era luftë, barut e tym, gjë e cila i kishte lënë mbresa.

“Më kujtohet era. Vinte era luftë. Më ka bërë shumë përshtypje era barut. Era barut e era tym është njëra ndër gjërat që më ka lënë mbresa. Moment shumë mbresëlënës për mua”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se në këtë takim ishte gjenerali Agim Çeku, John Reef, komandantët e zonave si Ramush Haradinaj dhe Rrustem Mustafa, e të tjerë.

Ai tha se nuk e di se si kishin ardhur komandantët e zonave aty. Tha së u bënë shumë pyetje dhe ranë dakord në pika të përgjithshme.

Dëshmitari Duncan u shpreh se nga pikëpamja ushtarake ishte takim frytdhënës. Ndërsa, sipas tij, krahu politik kërkonte formulime që do të njihej Qeveria e Përkohshme e Kosovës.

“Nga pikëpamja ushtarake ka qenë shumë frytdhënës si takim. Krahu politik më duket se është zoti Haliti atje ose ndonjëri nga të pandehurit këtu mbase, ishin shumë të vështirë. Kërkonin formulime që të bënin të qartë që të njihej Qeveria e Përkohshme. U përpoqëm që të mos e pranonim këtë. Takimi pati një sukses të pjesshëm. Tekst mbeti pak a shumë siç e kisha hartuar unë. Kështu që, i shtuam disa hollësi. Takimi ishte frytdhënës. Ata hezitonin shumë, ata thonin se ne e kemi fituar luftën dhe nëse çarmatosemi ta bëjmë me nderë- nëse çarmatosemi ta bëjmë siç duhet. Kishte një ndjenjë të fortë prej tyre. Ata e konsideronin veten si luftëtarë të suksesshëm dhe donin ta mbronin veten përpara syve të popullit të tyre”, tha dëshmitari.

Për Ramush Haradinajn, Duncan tha se është karakter i veçantë, duke e krahasuar me filmat e Rambos.

“Është karakter i veçantë. Është si në filmat e Rambos. E kishte një emblemë në krah. Të binte në sy si personazh. Fliste goxha shpesh”, tha ai.

Ndërsa, për komandantët e UÇK-së, dëshmitari tha se iu përforcua ajo që i kishte thënë Agim Çeku, se ata ishin aktorët kryesorë dhe duhej të përfshiheshin në negociata.
 

Lexo përditësimet tjera
John Stewart Duncan

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, fillon dëshminë diplomati britanik John Stewart Duncan

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën ka filluar dëshminë ish-këshilltari politik...