(Tekst i përditësuar) - Michael Durkee, këshilltari i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritetet dhe kompetencën për ta ndaluar dhunën e cila u zhvillua në verën e viti 1999.
“Nuk kishte kompetencë, nuk kishte autoritet Hashim Thaçi për ta bërë këtë gjë, atëkohë”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se UÇK-ja nuk kishte në strukturë të konsoliduar të komandës dhe se komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme.
“Ne kishim këtë përshtypje që nuk kishte një strukturë solide ose të konsoliduar komandës që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra të cilat më pas do të çonin në veprime ose në operacione të caktuara në terren nëpër zona operative. Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe ekzistonte vullneti i tyre për të vepruar me kokën e tyre kur ata e mendonin të përshtatshme”, ka deklaruara Durkee.
Ai ka folur edhe për përfshirjen e serbëve lokale në Kosovës, brenda të cilave sipas tij ishin krijuar grupe paramilitare që e shërbenin me informata ushtrinë serbe.
“Nëse shikojmë se çfarë ka ndodhur në pranverën e vitit 1999 dhe veprimtaritë nuk kishin të bënin thjesht me kontrollin e Qeverisë serbe por gjithashtu edhe me grupe paramilitare të cilat ishin zhvilluar në popullsinë serbe në Kosovë. Në shumë vende, këta banorë serbë lokalë, po i jepnin informacion sa i takon se ku duhet të përqendroheshin forcat serbe”, është shprehur Durkee.
Ai ka folur edhe për siç e ka quajtur “reagim me inat”, të kosovarëve që ishin dëbuar nga forcat serbe e po ktheheshin nëpër vendbanimet e tyre të shkatërruara.
“Perceptimi im, por gjithashtu edhe perceptimi i UNMIK-ut dhe KFOR-it që refugjatët që po ktheheshin që ishin dëbuar nga forcat e Millosheviqit nga Kosova në dimrin e egër 1998-99, po ktheheshin nga fshatrat e tyre dhe po shikonin që fshatrat e tyre ishin shkatërruar miqtë, shokët dhe fqinjët ishin aty, pra kishte nivele të ndryshme të shkatërrimit të jetës së përditshme dhe të zakonshme të shqiptarëve të Kosovës, pra ishin pasoja të rënda dhe të mëdha. Shumë prej tyre reaguan me dëshirën për hakmarrje me mëri dhe inat”, ka deklaruar Durkee.
Këshilltari i Clarkut vazhdon sot dëshminë në Hagë
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefit të deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi.
Sot do të vazhdojë dëshminë e tij Michael Durkee, këshilltari i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark.
Ai e ka nisur dëshminë të mërkurën dhe ka thënë se Thaçi nuk kishte rol ushtarak në UÇK, por vetëm politik.
Në seancën e të mërkurës është paralajmëruar po ashtu se ish-komandanti i NATO-s për Evropë, Wesley Clark, planifikohet të nisë dëshminë të hënën.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte, si: Përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje e paligjshme (Pika 8), zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9).
Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në shtab të përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.
Durkee: Disa nga komandantët e zonave s’e pranonin Marrëveshjen e Demilitarizimit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Michael Durkee, ka thënë se e dinin se disa nga komandantët e zonave të UÇK-së nuk e pranonin Marrëveshjen e Demilitarizimit pas përfundimit të Luftës, raportonë Betimi për Drejtësi.
Durkee, i cili ishte dëshmitar i gjashtë i mbrojtjes, e përfundoi dëshminë gjatë ditës së sotme. Dëshmia e tij zgjati një ditë.
“Ne e dinim se disa komandantë të zonave nuk e pranonin Marrëveshjen e Demobilizimit. Ata mendonin që ishin elementët që do të udhëhiqnin Kosovën drejt pavarësisë dhe se kishin qenë pjesë të fushëbetejave dhe nuk donin të hiqnin dorë lehtë nga roli i tyre thjesht se ua kërkonte komuniteti ndërkombëtar. Mbaj mend që ne jemi mbështetur te fakti që gjatë negociatave për këtë Marrëveshjen e Demobilizimit, komandantët e zonave u konsultuan paraprakisht- të paktën një grup prej tyre ishin të gatshëm ta pranonin dhe respektonin marrëveshjen. Kur u kthyen në shtëpitë e tyre, konstatuan se shumë prej luftëtarëve ishin të pakënaqur me vendimin e tyre dhe pati trysni të brendshme, fraksione të brendshme. Disa ishin bashkëpunues por disa të tjerë nuk ishin”, ka thënë ish-këshilltarit i gjeneralë Wesley Clark.
Seanca e radhës në këtë rast gjyqësor do të mbahet të hënën duke filluar nga ora 12:00 (me 45 minuta vonesë në transmetim) në të cilën do të dëshmojë gjenerali Wesley Clark.
Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes në këtë rast gjyqësor.
Durkee mohon se i kujtohen ngjarjet në të cilat pretendohet se UÇK-ja ka kryer krime
Dëshmitari Michael Durkee ka mohuar se i kujtohen disa nga ngjarjet në të cilat pretendohet se UÇK-ja ka kryer krime.
Dëshmitari Durkee ka mohuar se ka dijeni për ngjarjen në Rahovec ku pretendohet se UÇK-ja ka ndaluar rreth 85 serbë në korrik të 1998-ës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari iu prezantua një dokument i Human Rights Watch i 1998-ës, ku thuhej se më 19 korrik 1998, UÇK-ja kishte filluar një sulm të madh në Rahovec.
Sipas dokumentit, mendohej se rreth 85 serbë janë mbajtur të ndaluar nga UÇK-ja ndonëse 35 prej tyre janë liruar.
Aty thuhej se prej gushtit 1998-ës, të paktën 40 persona nuk dihet se ku janë si dhe ka raportime që janë edhe 17 persona të tjerë që janë rrëmbyer nga një fshat afër Rahovecit.
“Nuk më kujtohet ky raport konkret, jo”, tha Durkee.
Avokatja Nina Tavakoli kundërshtoi pyetjet e prokurores, duke thënë se ato duhet të fokusohen në çështje që kanë dalë nga pala thirrëse dhe se ata nuk kanë bërë asnjë pyetje se çfarë ka ndodhur më 1998-ën.
“Unë e kuptoj që ju keni të drejtë që të nxjerren prova të reja që janë në favor të argumenteve tuaja, por nuk janë pjesë e fushëveprimit të pyetjeve tona”, tha Tavakoli duke thënë se kërkon që t’i tregohet se ku është qëllimi i këtyre pyetjeve.
Pas kësaj, ndërhyri kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, duke thënë se janë pyetje për të testuar besueshmërinë e dëshmitarit dhe në favor të argumenteve të tyre.
“Ne, duam të kuptojmë se sa njohuri ka ky zotëri lidhur me situatën dhe që është një dëshmi relevante. Kështu që, do të vijojmë”, tha Smith.
Më pas, prokurorja vazhdoi me pyetjet e saj duke i kërkuar dëshmitarit të tregojë nëse ka dijeni për raporte që UÇK-ja ka shënjestruar persona që perceptoheshin si bashkëpunëtorë me armikun dhe civilë.
“Nuk më kujtohet, por kam dëgjuar gjëra të ngjashme asokohe”, tha Durkee.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një raport tjetër ndërkombëtar ku pretendoheshin se elemente nga UÇK-ja kanë kryer krime ndaj bashkëpunëtorëve, civilëve e po ashtu edhe kanë mbajtur të ndaluar e kanë torturuar.
Përveç kësaj, ishte përmendur edhe rasti i ndalimit të pretenduar të 12 anëtarëve të delegacionit shqiptar në Qirez e që gjashtë prej tyre thuhet se janë torturuar pasi ishin perceptuar si të afërt me Qeverinë Serbe.
Durkee mohoi se i kujtohen rastet specifike, duke shtuar sërish që ka dëgjuar se ka pasur raste të tilla.
“Nuk më kujtohet ky raport konkret, por mbaj mend që KFOR-i ka raportuar përmes kanaleve të rregullta të informimit se kishte incidente që UÇK-ja nuk po respektonte kushtet dhe kishte akte dhune ndaj personave të ndryshëm”, tha Durkee.
Ai gjithashtu tha se nuk ka dijeni për incidentin në ish-godinën e MUP-it në Prizren ku KFOR-i gjerman kishte ndërhyrë e që aty ishte gjetur një i ndaluar i vdekur. Thuhet se kishte edhe 15 persona të tjerë që ishin të ndaluar dhe më pas ishin liruar.
“Nuk më kujtohet ky raport konkret që ka ardhur përmes kanaleve të NATO-s nga KFOR-i. Mendoj se do të ishte raportuar në kanale ky rast”, tha dëshmitari Durkee.