Diplomati amerikan Christpoher Hill në përmbyllje të dëshmisë së tij, i ka thënë Gjykatës Speciale se beson se UÇK-ja nuk kishte hierarki të mirëfilltë. Ulësen e dëshmitarit pas tij, të mërkurën e ka zënë Michael Durkee, këshilltar i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark. Ai ka thënë se Thaçi nuk kishte rol ushtarak në UÇK, por vetëm politik
(Tekst i përditësuar në 19:26) - Michael Durkee, këshilltar për çështje ndërkombëtare i Wesley Clarkut, ish-komandantit të forcave aleate të NATO-s për Evropë gjatë periudhës së luftës Kosovë, e ka nisur të mërkurën dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Dëshmitari i ftuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit ka thënë para gjykatës se i akuzuari ishte lider politik e jo ushtarak.
“Mendoj se kjo ishte bazuar në atë që më kujtohet, lloji i bisedës që u zhvillua, foli pothuajse tërësisht për aspiratat politike më shumë sesa objektivat ushtarakë që mund të kishin dhe në këtë kuptim ai po fliste më shumë si udhëheqës politik sesa si udhëheqës ushtarak”, ka thënë Durkee.
E të mërkurën, dëshminë treditëshe e ka përmbyllur i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Kosovën gjatë kohës së luftës, Christopher Hill.
Diplomati i pensionuar amerikan ka thënë se edhe Adem Demaçi, që drejtonte zyrën politike të UÇK-së në Prishtinë, bënte përpjekje ta paraqiste ushtrinë më të organizuar sesa ishte në të vërtetë.
Hill është shprehur se përshtypja e tij është se nuk pati hierarki të mirëfilltë.
“Ideja që drejtoria politike ka ndonjë rol në shtabin e përgjithshëm, ishte diçka që personat në drejtorinë politike përfshirë Adem Demaçin, bënin përpjekje për të treguar që ne kemi përgjegjësi dhe jemi përgjegjës. Për ne kjo tregonte që bëheshin shumë përpjekje, në kuptimin që personat donin ta konsolidonin pozicionin e tyre dhe donin të ishin më të fortë se disa të tjerë. Nuk ishte një grup personash i organizuar mirë që të kishin hierarki komanduese dhe përgjegjësi komanduese të mirë, kjo ishte përshtypja jonë gjatë gjithë kohës”, ka thënë Hill.
Diplomati amerikan është pyetur edhe lidhur me një kabllogram ku thuhej se UÇK-ja përbëhej nga sektori Politik, i Informimit, i Logjistikës, i Policisë, i Drejtësisë dhe i Operacioneve.
Lidhur me dokumentin e shkruar nga Shaun Byrnes, që ka udhëhequr Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara (KDOM) gjatë luftës në Kosovë, ambasadori Hill ka thënë se Byrnes ishte më i prirë sesa ai që të besonte se ekzistonte linjë hierarkike e komunikimit në UÇK.
“Mbase mund t’ia ketë thënë dikush këtë gjë, por siç ndodh shpesh në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, informacionet shpesh nuk janë të vërteta dhe nuk kanë për synim ta informojnë personin, por të kenë ndikim te personi që duhet ta marrë këtë informacion. Pra kishte një përpjekje për të na bindur ne, për të na thënë ne, që kjo është një organizatë dhe ushtri vërtetë e strukturuar. Unë nuk e pashë. Unë nuk e shihja si ai. Unë nuk e shihja atë që e shihte ai dhe të jem i sinqertë nuk pajtohem me deklaratën e tij dhe ia kam thënë këtë atij”, ka theksuar Hill.
Tek iu ka përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të trupit gjykues, ai ka thënë se mendon që shtabi i përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej prej komandantëve lokalë, ndërsa drejtoria politike e gueriles sipas tij, merrej me marrëdhëniet me botën e jashtme.
Në seancën e të mërkurës është paralajmëruar po ashtu se ish-komandanti i NATO-s për Evropë, Wesley Clark, planifikohet të nisë dëshminë të hënën.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte, si: Përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje e paligjshme (Pika 8), zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9).
Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në shtab të përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.