Në përgjigje të pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Wesley Clark tha se në UÇK pati figura të fuqishme - si komandantë zonash, që nuk i jepnin llogari askujt. Sipas gjeneralit që drejtoi NATO-n gjatë kohës së luftës në Kosovë, komandantët e zonave ishin persona që luftonin për jetën e tyre dhe këtë qëndrim e mbajtën edhe pas fushatës ajrore
Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara në Hagë se në UÇK nuk pati strukturë komanduese dhe as strukturë kontrolli.
Tek iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Clark tha se në UÇK pati figura të fuqishme - si komandantë zonash, që nuk i jepnin llogari askujt.
Si shembull e përmendi Ramush Haradinajn që udhëhoqi me Zonën Operative të Dukagjinit gjatë luftës në Kosovë.
“Dua të them diçka. Ramush Haradinaj që ka qenë komandant i fuqishëm, ishte më i pavarur si natyrë... Pikërisht kjo është përshtypja ime dhe prandaj dola në këtë përfundim sa i përket komandës dhe kontrollit – se si ka funksionuar komanda dhe kontrolli në UÇK. Ishin personalitete të forta, persona që kanë rrezikuar jetën. Jeta e familjeve të tyre varej prej vendimeve të tyre. Këta nuk ishin vartës të mirëfilltë. Nuk ekzistonte strukturë komande dhe kontrolli. Ishin persona që luftonin për jetën e tyre gjatë fushatës së NATO-s dhe këtë qëndrim e mbajtën edhe pas fushatës ajrore. Prandaj, Jackson e pati të vështirë me këta persona, me këta individë, andaj kishte akte hakmarrëse, kështu që persona të caktuar mund të kenë kryer akte dhune ndaj serbëve”, tha Clark.
Gjenerali Clark u shpreh se Thaçi ishte më i shfaqur publikisht e më i artikuluar dhe se roli i tij i ngjante atij të zyrtarit ndërlidhës.
Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Matthew Halling, e ballafaqoi dëshmitarin me një libër të gjeneralit Mike Jackson, ku është përshkruar takimi kur Thaçi i bërtiti gjeneralit britanik.
“Jackson flet për momentet para se ju t’i bashkoheshit takimit dhe këtu thuhet. Negociatat u bënë shumë të tensionuara përpara se ju të mbërrinit në takim. Jackson më tej thotë: Ne mbërritëm te D+89-a, ndërkohë që Thaçi na tha ‘askush nuk luan lojëra me UÇK-në’, na bërtiti duke e thënë këtë gjë. ‘Në qoftë se ju mendoni se mund të na jepni udhëzime, atëherë e keni gabim, do t’ju vijë keq për këtë’. Dëshmitar a keni qenë në dijeni për këtë”, pyeti Halling.
Clarku u përgjigj se e ka përshtypjen se Jacksoni ma ka thënë këtë. Dëshmitari theksoi kjo ndodhi kur po negociohej çarmatosja e UÇK-së. I pyetur nga prokurori se a kishte Thaçi rol ndryshe nga liderët ushtarakë, ai tha se i dukej se po.
“Duket sikur është kështu... Në momentin kur unë u ktheva, unë u mundova të sigurohesha që nuk kishte më një asociim ushtarak pas ndërhyrjes. Ndërkohë, ajo për të cilën po flasim këtu janë thjesht hollësitë se si janë zhvilluar këto bisedime. Sigurisht që ka pasur shumë inat, sigurisht që ka pasur shumë fërkime dhe sigurisht që janë bërë shumë deklarata”, tha Clark.
Dëshmia e Clarkut vazhdon edhe të mërkurën.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte, si: Përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje e paligjshme (Pika 8), zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9).
Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në shtab të përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.