Gjenerali i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Wesley Clark, të martën vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara.

Clark: Mënyra se si i kam parë unë ngjarjet është se Çeku ka qenë personi përgjegjës

1 muaj më parë / 18 nën 2025 15:33
Wesley Clark

Gjatë pyetjeve të tij, Prokurori Matt Halling ia prezantoi dëshmitarit Ëesley Clark një pjesë të librit të gjeneralit Mike Jackson nga një takim me Hashim Thaçin dhe komandantët e zonave përpara se të përfundonte demilitarizimi i UÇK-së.

Në libër, Mike Jackson fliste për periudhën pak momente përpara se Clarku të bëhej pjesë e këtij takimi. 

Në këtë rast, ai kishte treguar se Thaçi i inatosur i pati thënë se askush nuk mund të luante me UÇK-në, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

“Negociatat u bënë shumë të tensionuara…Thaçi na tha i inatosur ‘askush nuk luan lojëra me UÇK-në’. Ai na bërtiti duke e thënë këtë gjë. Në qoftë se ju mendoni se mund të na jepni ju udhëzime, atëherë e keni gabim dhe do ju vijë keq për këtë”, lexoi prokurori nga libri i Jackson.

Clarku tha se me shumë gjasa ka qenë i informuar për këtë gjë dhe Jacksoni do t’ia ketë thënë.

Më tej ai u pyet nëse është e vërtetë që Hashim Thaçi ka pasur kompetencë politike që ka qenë e ndryshme nga kompetenca apo autoriteti i ushtarëve me të cilët ai fliste.

Ai shtoi se siç i ka parë ngjarjet ai, Agim Çeku ishte përgjegjës.

“Flitej për një organizatë rezistence që kishte mbështetjen e NATO-s dhe ndjesia ishte që Serbia do të dëbohej... Mënyra se si i kam parë unë ngjarjet është se Çeku ka qenë personi përgjegjës... Thaçi ishte person ambicioz, i artikuluar, i prezantueshëm, por sa i takon kontrollit, pa diskutim se nuk ka pasur kontroll, absolutisht nuk e kam parë një gjë të tillë. Bëhej fjalë për grupe individuale që thjeshtë po luftonin për mbijetesën e tyre”, është shprehur ai.  

Wesley Clark: Kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie

1 muaj më parë / 18 nën 2025 11:57
CLARK

Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë, duke folur për deklaratat se kinse UÇK-ja ishte organizatë terroristë në fillimet e saj, tha se kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie.

Nga prokurori Matt Halling, dëshmitari u pyet se a është e drejtë të thuhet se duhej të mbahej një lloj distance gjatë bombardimeve nga UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përkundrazi, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë duke thënë se ata kërkuan nga Hashim Thaçi që t’iu ndihmonte.

“Jo kjo nuk është e saktë, për këtë arsye fola me Thaçin. Unë i kërkova Thaçit të na ndihmonte. Ishim në një pikë kritike të historisë, të vlerave, të etikës, të demokracisë në këto kohë. Shpresoj që të mos më ndërpres trupi gjykues. Megjithatë, në një pikë të caktuar kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, në një pikë ata kalojnë nga të qenët terroristë, tek të qenët luftëtarë lirie dhe në një pikë të caktuar opinioni botëror dhe konsensusi botëror mbërrin në përfundimin që njerëzit kanë të drejtë të rezistojnë presionin e luftës dhe kjo është e parashikuar në deklaratën amerikane të pavarësisë dhe është diçka normale dhe e logjikshme”, tha Clark.

Clark tha se që nga koha kur Kosova më 1974 supozohej që të ishte një shtet i ndarë administrativisht, Sllobodan Millosheviqi e fshiu.

Sipas Clark, në një pikë të caktuar në mënyrë kolektive u organizuan dhe u bënë çlirimtarët e njerëzve.

“Mbrojtja kolektive e popullit të vet”, tha Clark.

Ai shtoi që i kujtohet se Gelbard e quajti familjen Jashari terroriste dhe se amerikanët i tërhoqën vërejtjen për këtë.

“Më kujtohet që Gelbard e quajti familjen Jashari terroriste, por për këtë iu tërhoq vërejtja nga lidershipi amerikan”, tha ai.

Clark: S’kam prova që UÇK-ja është prapa spastrimit etnik të serbëve

1 muaj më parë / 18 nën 2025 10:32
Wesley Clark

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, gjenerali Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka deklaruar se nuk prova që UÇK-ja është prapa spastrimit etnik të serbëve.

Pyetjet për këtë dëshmitar gjatë fillimit të seancës së të martës i ka vazhduar prokurori Matt Halling, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë nuk kam prova dhe dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj dhe kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën. Po i referohem deklaratës ku pretendohet se 170 mijë serbë të jenë dëbuar nga Kosova”, tha Clark.

Clark deklaroi këtë pasi prokurori Halling ia paraqiti një dokument të një interviste nga gazeta “Shekulli”, ku pretendohej se dikush kishte thënë se në Kosovë janë dëbuar rreth 170 mijë serbë, e që prapa kësaj qëndron UÇK-ja.

Dëshmitari e ripërsëriti se dhuna e vitit 1999 ishte më shumë personale dhe jo e orkestruar.

Për të diskutuar një çështje e cila është konfidenciale, u kalua në seancë private për publikun.