Arbëri

Digjen mbi 20 hektarë pyje për dy ditë në Podujevë

Ngritja e temperaturave ka shtuar rastet e zjarreve në Komunën e Podujevës. Vetëm për dy ditë janë djegur më shumë se 20 hektarë pyje dhe 8 hektarë hapësira fushore. Sipas komandantit të Njësisë së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Podujevë, Milaim Ajvazi, gjatë ditës së hënë zjarri ka përfshirë edhe në shtëpi banimi në fshatin Katunishtë.

“Bazuar në statistikat zyrtare të NjPZSH-së gjatë periudhës 26-28.03.2022 kemi intervenuar në 26 raste të fikjeve të zjarrit në fshatrat si në vijim: Lluzhan, Surdull, Shtedim, Gllamnik, Dumnicë e Epërme,Rakinicë, Lupç i Poshtëm, Shajkoc, Peran, Katunishtë, etj. Struktura e zjarreve: Pisha (1ha i djegur) në Dobërdol, hapësira pyjore (20.5 ha të djegur) në Surdull, Rakinicë, Dumnicë e Epërme, Katunishtë, etj.”, ka thënë për KOHËN, Milaim Ajvazi.

Sipas tij, pos pyjeve, zjarret kanë përfshirë edhe 8 hektarë hapësira fushore në Shtedim, Shajkoc, Peran, Lupç i Poshtëm, etj. dhe po ashtu mbeturina në lokacione të ndryshme.

“Sot në ora 11:04 kemi pranuar informatën për zjarr në shtëpi banimi në fshatin Katunishtë. Fal intervenimit të shpejtë kemi arrit të shpëtojmë shtëpin e M.H.. Dëmet kanë qenë minimale, një dhomë është dëmtuar nga zjarri. Vlen të theksohet se kërkesat e qytetarëve kanë qenë të shumta, por ne kemi arritur vetëm këto raste t’i lokalizojmë”, ka theksuar komandanti i NjPZSH-së. “Po punojmë me nivel të ngritur të gatishmërisë emergjente (mobilizim stafi) deri në stabilizim të gjendjes së përgjithshme me zjarre në zonën e përgjegjësisë. Momentalishtë nuk kemi zjarre aktive!”.

Edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se gjatë ditëve të fundit është shtuar numri i rasteve të përfshirjes së zjarreve në zonat malore dhe fushore.

“Vetëm gjatë vikendit është intervenuar në 26 raste të fikjes së zjarreve. Struktura e zjarreve është, pisha, hapësira pyjore, hapësira fushore dhe mbeturina. Si Komunë jemi duke punuar deri në stabilizim të gjendjes së përgjithshme me zjarre”, ka thënë ai.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Policia e Kosovës rreth zjarreve në Komunën e Podujevës dhe nëse kanë të dyshuar apo arrestuar rreth këtyre rasteve, por deri në momentin e raportimit nuk kanë kthyer përgjigje.