Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë diskutimi në takimin ndërmjet kryetares së Komisionit Evropian, Ursul von der Leyen, dhe presidentit amerikan, Joe Biden. Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Leyeni theksoi se palët kanë në tryezë një plan të mirë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq shprehu pritjen për konstruktivitet në prag të takimit të Ohrit, më 18 mars
Jo të lehtë dhe me shumë çështje që duhen zgjidhur e ka kualifikuar të shtunën dialogun Kosovë-Serbi, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një diskutimi të zhvilluar mbi temën me presidentin amerikan, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur para gazetarëve, pas takimit me Bidenin, von der Leyeni ka theksuar se në bisedime është potencuar mbështetja e Bashkimit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun.
“Është shumë e rëndësishme që dialogu Serbi-Kosovë të vazhdojë. Nuk është e lehtë. Ka ende shumë çështje për të zgjidhur, por është duke ecur në drejtimin e duhur. Dialogu ka mbështetje të plotë nga të dyja palët tona”, ka thënë von der Leyeni.
Ajo ka shprehur gjithashtu pritjen që Kosova dhe Serbia të demonstrojnë konstruktivitet në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku pritet që palët të dakordohen rreth udhërrëfyesit për zbatimin e Planit evropian për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve.
“Ka një plan të mirë në tryezë. Ekziston një udhërrëfyes si të arrihet atje. Shpresojmë që të dyja të jenë shumë konstruktive”, ka thënë von der Leyeni.
Edhe
Von der Leyen: Kosova dhe Serbia t’i përmbushin angazhimet në kuadër të dialogut
Diskutimi Biden-von der Leyen rreth dialogut është zhvilluar një javë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajnë takim në Ohër, me ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.
Ky takim i pason diskutimet e 27 marsit në Bruksel, gjatë të cilave palët kanë arritur pajtim në parim rreth Planit evropian, por jo edhe për udhërrëfyesin mbi zbatimin e tij.
-
Von Der Leyen kërkon nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut
-
Von der Leyen i kërkon Vuçiqit të bëjë të gjitha përpjekjet për kthim në dialog
-
Von der Leyen: Kosova e Serbia ta shfrytëzojnë rastin dhe ta pranojnë Planin e BE-së
-
Zgjedhjet lokale dhe vizita e Von der Leyen mund të ndihmojnë në heqjen e mëtejme të masave