Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se Dejona Mihali, koordinatore e Komitetit të LVV-së, i detyron deputetët e Vetëvendosjes që të mos jenë prezentë në Kuvend e të mos flasin.
Sipas Musliu-Shoshit, Mihali i kontrollon deputetët e partisë së saj. Ajo duke folur për dështimin e mbajtjes së seancës së sotme, 28 korrik, ka theksuar se kanë qenë kushtet për punë, por se pushteti qëllimisht i ka përmbyllur punimet ende pa filluar seanca.
“Kryetari i Kuvendit nuk ishte prezent, edhe pse ishte prezent që të dalë në kafe, por nuk ishte prezent për ta udhëhequr seancën. Erdhi nënkryetarja dhe në mënyrë jashtëzakonisht të shpejt e përmbylli sesionin, pa bërë thirrje që të kthehen deputetët, pa u alarmuar me zilen e Kuvendit. Kjo për arsye se nuk iu konvenon që opozita të flas dhe ta ngritë zërin për skandalet e njëpasnjëshme. Kjo ka qenë arsyeja pse sot nuk u mbajt seanca, që pushteti t’i ikë përgjegjësisë para deputetëve e qytetarëve. E, këtu rol të veçantë ka edhe Dejona që deputetë të mazhorancës i detyron që të mos jenë prezent, të dalin nga mbledhjet e Kuvendit që pozita të mos japë llogari para qytetarëve. Është ajo që i kontrollon fjalimet e tyre, prezencën e tyre, shumë nga ta detyrohen ta poshtërojnë dinjitetin e tyre, që t’i nënshtrohen asaj çfarë thotë Dejona dhe lideri i tyre”, ka thënë ajo.
Musliu-Shoshi ka shtuar se nga shtatori si parti do të vendosin se si do të veprojnë për rrëzimin e Qeverisë.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV deputetja e PDK-së ka thënë ndër tjerash se partia e saj do të jetë prezente në diskutimet në Kuvend, por se do të vazhdojë të qëndrojë jashtë votimeve.
“Duke parë që moskoordinimi me aleatët ndërkombëtarë është gjithmonë duke na dërguar drejt zhbërjes së shtetit tonë, ne e kemi parë të arsyeshme që më nuk ja vlen të jemi pjesë e përkrahjes së veprimeve të kësaj Qeverie. Ne do të jemi në Kuvend, do të diskutojmë, por në asnjë mënyrë ne nuk votojmë dhe nuk e bëjmë kuorumin për qëllime të LVV-së”, ka përfunduar ajo.