(E përditësuar 11:27) - Edhe tentimi i 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka dhënë asnjë rezultat. Ndryshe nga herët tjera, sot nuk është hedhur në votim fare konstituimi i Kuvendit. Kjo pasi pati një përplasje mes kryesuesit të seancës, Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut.

Fillimisht Dehari i kërkoi regjisë t’ia ndalë fjalën Musliut duke u thirrur në rregulloren e Kuvendit që nuk ka hapësirë për debat. Kjo e fundit ia mori mikrofonin Deharit për ta vazhduar fjalimin e duke i kërkuar që të mos i ndërpritet fjala.

Dehari mbylli seancën duke thënë se nuk ka kushte për vazhdimin e saj.

Vazhdimi i radhës është caktuar për të premten në orën 11:00. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.

Pas tri ditësh, përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses që e caktoi për konstituimin e Kuvendit në aktgjykimin e 26 qershorit.


(08:20) - Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në përpjekjen e 51-të për konstituim të Kuvendit.

Të hënën ishte tentimi i 50-të, dhe si herët tjera, nuk kishte asnjë rezultat.

104 deputetë kanë qenë në sallë dhe vetëm 53 deputetë morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë.

Kryesuesi Avni Dehari ka kërkuar nga partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë që të propozojnë emra për kandidatë për komisionin për zhvillimin e procesit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.

Në një konferencë për media të martën pasdite, Osmani theksoi se kërkesa që e dorëzoi në gjykatë ka karakter preventiv dhe është e nevojshme për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve në vend. Ajo pret nga gjykata të shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit”.

Presidentja deklaroi se ky është një rast i paprecedentë në jetën politike të Kosovës dhe se mungesa e konsensusit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues ka krijuar një situatë të paqartë ligjore. Osmani u shpreh se shpreson që Kushtetuesja ta prioritizojë këtë çështje. 

Në kërkesën e presidentes theksohet që zgjidhja e këtij konflikti kompetencash paraqet nevojën që të sqarohen:

1. Pasojat juridike të mungesës së konstituimit të Kuvendit brenda afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.

2. Pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.

3. Autorizimet, kufizimet dhe pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që konstituohet pas afateve të caktuara në nenin 2066.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës. 

Pas tri ditësh, përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses që e caktoi për konstituimin e Kuvendit në aktgjykimin e 26 qershorit.

Abdixhiku thotë se meqë Kurti s’dëshiron ta formojë shumicën, le t’i merret e drejta

4 o. më parë / 23 kor 2025 12:20
Lumir Abdixhiku (Foto: Driton Paçarada)

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se e drejta për formimin e shumicës duhet t’i merret Lëvizjes Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin.

Pas seancës konstituive e cila u mbyll nga kryesuesi Avni Dehari pas përplasjes me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, Abdixhiku para gazetarëve ka thënë se kjo e drejtë duhet t’i merret Kurtit pasi nuk dëshiron ta formojë shumicën.

“Në fakt, Gjykata Kushtetuese është shumë e qartë, përgjegjësia për formimin e shumicës i takon të parit. Meqë i pari nuk po do ta shfrytëzojë këtë të drejtë, atëherë kjo e drejtë t’i merret të parit pra, ky është mendim politik. Ne po japim një mendim tonin, le t’i merret e drejta”, është shprehur Abdixhiku.

Krasniqi: VV-ja në mënyrë arbitrare po e pamundëson konstituimin e Kuvendit

4 o. më parë / 23 kor 2025 12:18 Nga: Marigona Brahimi
Memli Krasniqi,

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, duke e shfrytëzuar Avni Deharin në mënyrën më degraduese dhe arbitrarisht po e pamundëson konstituimin e Kuvendit.

Sipas tij, partia e parë e ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit por se ka të drejtën që ta emërojë atë.

“Zoti Dehari për dallim prej herëve tjera ka arritur në një nivel të autoritarizmit që nuk është parë më herët në Kuvendin. Në këto tri ditët e mbetura konform afatit të Kushtetueses ne jemi në qëndrimin e njëjtët të ndërrohet kandidati, të sillet një nga deputetët që nuk ka qenë anëtar i qeverisë Kurti. Ne kemi dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe deri tash nuk kemi marrë aktgjykim, kemi pritur të ndodhë para datës 26”, ka thënë ai.

Sipas tij, VV-ja nuk do ta propozojë Limajn për kryetar Kuvendi.

Ndërkaq për takimet mes kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe kryetarit të VV-së, Albin Kurti, Krasniqi ka thënë se: “Mungesa e transparencës nga të dy palët është shenjë që diçka nuk është në rregull por ka të bëjë me apetitet pushtetore. Edhe nëse merren vesh nesër ata ende nuk i kanë 61 numra”.

Partitë opozitare e konsiderojnë turp kombëtar krizën politike aktuale

4 o. më parë / 23 kor 2025 12:07
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Kosovare Murseli, ka thënë se gjendja aktuale nuk është krizë politike, por turp kombëtar.

Në fjalën e saj pas seancës së 51-të për konstituimin e Kuvendit, Murseli ka thënë se partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka kthyer Kosovën në vend të izoluar. 

“Kjo nuk është thjesht krizë politike por turp kombëtar. Deputetet e LVV-së janë shkaku i degradimit tonë. Ata i mashtruan qytetarët, e kanë kthyer Kosovën në një vend të izoluar, të përçarë edhe me aleatët tanë. Qytetarët vuajnë, bizneset mbyllen, të rinjtë largohen e këta përmes propagandës gënjejnë qytetarët. Zonja Haxhiu a nuk të vije turp që Kosova mbahet peng nga ti? Vjen në Parlament e veshur firmato, me buzëqeshje cinike duke luajtur rolin e viktimës”, ka thënë ajo. 

Ndërsa Krenar Xhaferi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Kosova nuk meriton pushtet që s’e do mendimin ndryshe. 

“Kosova nuk ka lindur dje, nuk është produkt i një force të vetme politike. Mendësia njëpartiake është dashur të tejkalohet në vitet e ’90-ta. Kosova nuk u çlirua për të pasur një pushtet që nuk e do mendimin ndryshe. Kosova fiton kur ne jemi bashkë, jo kur jemi kundër njëri-tjetrit”, ka thënë ai. 

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se ata që më parë thoshin se familjarët janë për dasma e ahengje, jo për t’i punësuar, e kanë kapur shtetin. 

“Ora po ecën, ka ngelur edhe një seancë sipas afatit ku Qeveria duhet ta formojë Kuvendin. Ka thënë që familjarët janë për dasma dhe ahengje, por çfarë kemi parë gjatë këtij mandati nuk ishin për ahengje por për t’u punësuar. E kanë kapur shtetin krejt. Nuk mund ta sfidojë rendin kushtetues të Kosovës. Për 6 muaj njeriu që e konsideron veten si baba i kombit me 48 deputetë nuk arrin ta bëjë Qeverinë. Zoti e bekoftë këtë popull dhe e ruajtë prej Albin Kurtit”, ka thënë ajo. 

Limaj: S’jemi të interesuar për zgjidhje gjysmake, por qeveri të shumicës

4 o. më parë / 23 kor 2025 12:04
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk janë të interesuar të kontribuojnë në zgjidhje gjysmake, por duan që të sigurohet një qeveri e shumicës.

Në konferencë për media pas dështimit të 51-të të konstituimit të Kuvendit, Limaj u shpreh se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë qartësi rrugës përpara dhe që raste të tilla të mos përsëriten.

“Qëndrimi i Nismës është që nuk besojmë në zgjidhje parciale, duam shumicë qeverisëse e cila e konstituon Kuvendin edhe krijon qeveri. Nisma nuk do të kontribuojë në zgjidhje gjysmake që pastaj do të shkaktonin zgjedhje. Nuk duam shumicë ‘me episoda’ ”, ka thënë Limaj.

Kryetari i Nismës është takuar disa herë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Së fundmi ata u takuan në fundjavë. Në konferencë për media para dy ditësh, Kurti u shpreh se deri në fund të javës do të dihet se a ka koalicion me Nismën.

Limaj ka thënë se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese do ta sqarojë situatën për të ardhmen pasi, sipas tij, infrastruktura ligjore ka lënë zbrazëtira.  

“Kërkesa e presidentes e ndihmon procesin, edhe aktualisht, edhe në të ardhmen. Infrastrukura jonë ligjore ka lënë zbrazëtira. Është në interesin e partive që të pritet mendimi i gjykatës. Nëse ka masë të përkohshme, të gjendet një zgjidhje”, ka thënë ai.

E për takimet me Kurtin, Limaj u shpreh se nuk po ka raportime të sakta nga mediat.

“Asnjëra nga to çka janë raportuar në media nuk janë ashtu. Nuk janë të vërteta. Për hir të korrektësisë, kemi biseduar më shumë tema programe, tema politike, diplomatike... fushën e sigurisë”, u shpreh Limaj.

Gjatë ditës së sotme, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ofruar marrëveshje të favorshme për Nismën Socialdemokrate, duke e konsideruar si “gjeneroze”.

Në një deklarim në “Interaktiv” të KTV-së të martën, deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se nuk ka mundësi t’i jepet posti i kryeparlamentarit “një partie me dy-tre deputetë”, duke aluduar te Nisma.

AAK-ja shpreson që Kushtetuesja nuk do ta vonojë përgjigjen ndaj Osmanit

5 o. më parë / 23 kor 2025 11:00
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjendja nuk është e mirë.

Sipas tij, pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani, që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin nëse Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda 30-ditësh, krijohet hapësirë edhe disa ditë për Lëvizjen Vetëvendosje.

Ka shtuar se shpreson që Gjykata Kushtetuese nuk do të vonojë me vendimet e saja.

Deputeti i AAK-së, Lah Ibrahimaj, ka thënë se edhe pse i vonuar është i mirëpritur vendimi i presidentes Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do ta respektojnë ashtu siç është.

Nura: Limaj e meriton votën e PDK-së për kryekuvendar

5 o. më parë / 23 kor 2025 10:45
Fadil Nura

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë se mendon që partia të cilës i takon e voton Fatmir Limajn për kryekuvendar.

Sipas Nurës, Limaj e meriton votën e PDK-së, teksa e ka cilësuar atë si më të dinjitetshëm se gjysma e deputetëve të Vetëvendosjes. 

“Unë thashë se mendoj që Partia Demokratike e voton Fatmir Limajn duke e ditur që ai është më i devotshëm dhe më i dinjitetshëm se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu që ne e kemi një qëndrim që vetëm ministrat nuk do t’i votojmë. Famir Limaj do ta meritonte votën e PDK-së”, ka thënë ai. 

Nura ka shtuar se është krijuar një dramë e pakëndshme në Kuvend. 

“Çdo gjëje i ka humbur kuptimi, jemi bërë një dramë e pakëndshme dhe për ne deputetët që hyjmë dhe dalim e nuk bëjmë asgjë këtu”, ka thënë ai.

Peci: Kryeministri ka bërë ofertë gjeneroze për Nismën

5 o. më parë / 23 kor 2025 10:43
Faton Peci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ofruar një marrëveshje të favorshme për Nismën Socialdemokrate, me qëllim të përfshirjes së saj në qeverinë e ardhshme.

Sipas Pecit, oferta përfshin pozita të rëndësishme në ekzekutiv dhe hapësirë për të kontribuar me ide dhe program.

“Me aq sa kemi informacione, oferta e kryeministrit për Nismën ka qenë bukur gjeneroze për mundësinë që ata të marrin pozicione të rëndësishme në qeverinë e ardhshme dhe të japin kontributin, idenë, vizionin dhe programin me të cilin kanë garuar në zgjedhjet e fundit”, ka thënë Peci para hyrjes në Kuvend.

Ai shtoi se bëhet fjalë për disa pozita, por nuk dha më shumë detaje.

Peci u shpreh optimist se deri në fund të javës mund të ketë Kuvend të konstituar.

Bahtiri: Bashkimi i opozitës ka për qëllim ndarjen e Kosovës

5 o. më parë / 23 kor 2025 10:37
Agim Bahtiri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, e ka akuzuar opozitën e mëhershme se ka për qëllim ndarjen e Kosovës.

“Dua t’iu tregoj se bashkimi i opozitës ka një qëllim: ndarjen e Kosovës, ashtu siç e ka pas plan. Pra nuk do të arrihet asnjëherë deri sa të jemi gjallë ne”, ka thënë ai, para seancës konstituive.