Arbëri

Deputeti Qoku thotë se racizmi ndaj shqiptarëve është i ngulitur në sentimentin kombëtar maqedonas

Bekim Qoku

Deputeti në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku, ka thënë se racizmi ndaj shqiptarëve është i ngulitur në sentmentin kombëtar maqedonas.

Të hënën në “Interaktiv” të KTV-së, Qoku ka thënë se ështe mendësi e tyre, e cila nuk mund të ndryshojë brenda një viti. 

Sipas Qokut, maqedonasit i konsiderojnë shqiptarët si armikun e tyre më të madh pas bullgarëve.

“Është kulturë, është mendësi dhe mendësia nuk vjen për një vit, mendësia do kohë të gjatë të brumoset dhe të piqet në mendjen e këtyre njerëzve dhe fatkeqësisht ata janë lënë të lirë, kanë pasur terren të hapur të lirë që t’i shfaqin këto lloj sentimentesh ndaj shqiptarëve dhe në të gjitha anketimet del që shqiptarët janë armiku numër një dhe aktualisht trajtohen si armiku numër dy për maqedonasit pas bullgarëve, dhe kjo është e rrënjosur në gjenet kulturore të maqedonasve, kjo nuk çrrënjoset për një vit”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se do të ishte mirë që të reagonte edhe presidentja maqedonase, Gordana Siljanovska-Davkova, si çdo instancë tjetër.