Arbëri

Dëmi nga përmbytjet në Ferizaj - 445 mijë €, komunat e tjera ende pa vlerësim

Deri më tash, procesin e vlerësimit të dëmeve e ka kryer vetëm Ferizaj, e që shkojnë gati në gjysmë milioni euro. Njohësit e fushës së bujqësisë paralajmërojnë rrezikun e zhdukjes së shtresës pjellore nga përmbytjet e shpeshta

Përmbytjet e 18 dhe 19 nëntorit prekën disa komuna, por deri tash vetëm ajo e Ferizajt ka evidentuar dëmet dhe ato mbërrijnë në 445 mijë euro.

Sipas të dhënave komunale, janë shkaktuar dëme në 12 ekonomi familjare me vlerë të përgjithshme 45 mijë euro, si dhe në 8 biznese me vlerë 400 mijë euro.

Komunat e tjera të prekura janë në proces të vlerësimit të dëmeve. 

E ekspertët paralajmërojnë për rrezikun që përmbytjet të zhdukin shtresën pjellore të tokës.

“Fakti i intensitetit të reshjeve dhe përmbytjeve të mëdha e zhdukin pjesën pjellore të tokës përkatësisht koloditetin e tokës gjë që ndikon në shkallën e caktuar të dëmeve varësisht nga ekspozicioni i terrenit. Në rend të parë shumë më tepër janë të atakuar ose sulmuar ekspozicionet e rrafshëta të cilat nuk kanë shkallë të caktuar të pjerrësisë për prolongim ose eliminim të ujërave sipërfaqësore sepse ujërat që grumbullohen në pjesën sipërfaqësore përveç që shkaktojnë shpëlarje të dheut ose shtresës pjellore të tokës krijojnë edhe asfiksime ose pamundësi të frymëmarrjes”, ka thënë Imer Rusinovci, profesor i bujqësisë.

Profesori Rusinovci theksoi se qëndrimi i zgjatur i ujit në sipërfaqe, pos të mbjellave, dëmton edhe tokën e përgatitur për mbjellje.

Sipas tij, duhet mbështetje institucionale më e madhe.

“Dikasteri përkatës, Ministria e Bujqësisë duhet të mendoj më seriozisht për një fond që duhet ta themeloj për fatkeqësi të tilla elementare që të përkrahen dhe ndihmohen fermerët gjithmonë në koordinim ose në një emërues të përbashkët me ekipin e këshillëdhënësve në terren”, ka thënë ai.

Sipas Strategjisë për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, sektori i bujqësisë në Kosovë është ndër më të ndjeshmit ndaj ndryshimeve. 

Si pasojë e përmbytjeve në periudhën 2015 - 2022, dëmet në tokat bujqësore kanë shkuar në mbi 25 milionë euro. 

Përveç Ferizajt, përmbytje muajin e kaluar pati edhe në Prishtinë, Gjilan, Viti, Kllokot, Fushë-Kosovë dhe Shtime, komunë ku u shpall gjendje emergjente.