Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka konsideruar se Qeveria ka bërë ndarje raciste të buxhetit për komunat sa i përket projekteve kapitale.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Deliu-Kodra ka thënë se kjo ndarje është edhe joproporcionale.
“Është buxheti më joproporcional që kam hasur ndonjëherë në mandatet e mia si deputete e Kuvendit të Kosovës. E kuptoj kur ke pushtet mbase edhe mund të ndahet buxheti më shumë në komunat që ti i udhëheq, por asnjëherë nuk kam parë një ndarje më raciste, më joproporcionale si kjo”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se bazuar në raportin e publikuar nga Instituti GAP në fundjavën e kaluar, shihet se komunave si Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik e Han i Elezit, nga fondi prej 13 milionë eurosh, nuk u janë ndarë mjete.
“Nëse i referohemi Ferizajt, Skenderajt, Kaçanikut e Hani i Elezit, në këtë fond 13 milionësh kanë 0 buxhet nga Qeveria e Republikës së Kosovë. Këto janë mjete të taksapaguesve e jo të Qeverisë. Kjo ndarje është raciste. Humbjet që i ka përjetuar komuna e Skenderajt nga vërshimet kanë goditur mbi 6 milionë euro amvisëri e investime të qytetarëve”, ka theksuar ajo.