Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: I papranueshëm diskriminimi që Qeveria Kurti po ua bën qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka akuzuar Qeverinë Kurti se po bën diskriminim me komunat që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje që është në pushtet qendror.

Gjatë vizitës në Komunën e Vitisë të enjten, Krasniqi ka thënë se Qeveria ka bërë diskriminim ndaj kësaj komune përmes ndarjeve buxhetore.

“Ajo që edhe këtu vërehet është diskriminimi i jashtëzakonshëm që Qeveria qendrore po ua bën qytetarëve të kësaj komune, si dhe shumë komunave tjera në Kosovë. Vetëm 4 euro për kokë banori për qytetarët e Vitisë i ka ndarë Qeveria me buxhetin e vitit të ardhshëm për projektet e reja investive. Është e papranueshme, është vërtetë një diskriminim i paparë ndonjëherë dhe i cili nuk e ndihmon zhvillimin e mëtutjeshëm të komunitetit dhe të komunës”, ka thënë ai pas takimit me kryetarin e Kuvendit Komunal, Bekim Azizi.

Në një analizë për ndarjen buxhetore, Instituti GAP ditë më parë doli me raport se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat në të cilat udhëheq Vetëvendosje për vitin 2024. Nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq VV-ja. Megjithatë, ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për shtyp të mërkurën ka thënë se në raport bëhet fjalë vetëm për 13 milionë nga 860 milionë euro investime kapitale.