Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Kaçanikut që udhëhiqet nga kjo parti, duke thënë se krahas punës së madhe të qeverisjes lokale, sipas kryetarit të opozitës, komuna dhe qytetarët e Kaçanikut po ballafaqohen edhe me sfida të shumta e diskriminim të madh nga Qeveria Kurti.
Sipas tij, është viti i katërt me radhë që Kaçaniku përjashtohet nga ndarja e buxhetit për investime të reja kapitale nëpër komuna nga ana e Qeverisë.
“Secili qytetar i Kosovës duhet ta dijë se Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike. Është viti i katërt që Komuna e Kaçanikut nuk e merr asnjë cent nga Qeveria qendrore. Është një diskriminim i egër. Është një përjashtim i papranueshëm, sepse qytetarët anembanë Kosovës kanë votuar për parti të ndryshme, por Qeveria e ka për obligim që t’u shërbejë të gjithëve. Ashtu siç po u shërben të gjithëve kryetari Besim Ilazi”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, ai ka shtuar se katër komuna nga tetë që udhëhiqen nga kryetarë të PDK-së, nuk e kanë marrë asnjë cent nga Qeveria e Kosovës për vitin e ardhshëm.
“Kjo është e papranueshme. Ky diskriminim duhet të përfundojë, sepse institucionet janë të të gjithë qytetarëve, dhe duhet t’u shërbejnë të gjithëve, pa dallim”, ka thënë tutje kryetari i PDK-së.
Krasniqi ka inkurajuar kryetarin e Kaçanikut, Besim Ilazin për të realizuar jo vetëm premtimet që i kanë dhënë në fushatë para dy vjetësh kur kanë fituar zgjedhjet, por edhe për t’i tejkaluar ato, “përtej mungesës totale të mbështetjes nga ana e Qeverisë”.
Edhe
Krasniqi: Qeveria Kurti i ka sjellë regres Kosovës
“Sot jemi këtu në sheshin e qytetit, i cili do të jetë një projekt transformues. Një projekt që është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe që vërtetë po e ndryshon fytyrën e qytetit të Kaçanikut. Projekt që është kryekëput punë e qeverisjes lokale, pa mbështetjen e Qeverisë qendrore”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se edhe në Kaçanik, shihet një model i qeverisjes, që në nivelin qendror po ju mungon qytetarëve.
“Ky është modeli i mbajtjes së premtimeve. Ky është modeli i kryerjes së punëve. Ky është modeli i shërbimit ndaj qytetarëve – që Partia Demokratike e Kosovës e ka instaluar tashmë në komunat që udhëhiqen nga kryetarët nga radhët e saj, e që do ta sjellë edhe në nivelin qendror”, ka përfunduar ai.
-
Krasniqi: I papranueshëm diskriminimi që Qeveria Kurti po ua bën qytetarëve
-
Krasniqi: Pushteti ndau mbi gjysmën e buxhetit për investime kapitale për komunat që i udhëheq
-
Krasniqi: Qeveria të mos diskriminojë komunat në baza politike partiake
-
Krasniqi: Kandidatët e PDK-së dëshmojnë se lidershipi është shërbim, jo privilegj