Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje duket thënë se e ka marrë peng Kosovën.
“Sot kemi të bëjmë më një përpjekje të qartë për të shtypur pluralizmin politik, për të uzurpuar pushtetin përmes kontrollit total mbi institucionet e Republikës së Kosovës”, është shprehur Deliu-Kodra në fjalimin e mbajtur në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 45-të të seancës konstituive.
“Është e turpshme dhe antikushtetuese si deputetët e zgjedhur me votën e qytetarëve të Kosovës, sot nuk lejohen ta ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues”, ka shtuar ajo.
Deliu-Kodra ka thënë se fjalimi i saj është një protestë.
“Protestë ndaj një njeriu që sillet si një pronar i shtetit dhe jo si në shërbëtor i tij”, ka deklaruara ajo.
Deliu-Kodra ka thënë se si PDK-ja i bën thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që “të zbresë në tokë”.
“T’i lërë inatet personale dhe të kthehet në rendin kushtetues e demokratike e të reflektojë. Kosova nuk mund të mbahet peng nga egoja jote personale Albin Kurti”, është shprehur Deliu-Kodra.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ekrem Hyseni, e ka akuzuar Vetëvendosjen për uzurpim të institucioneve.
“Uzurpimi i institucioneve, shkelja kushtetuese, ikja nga procedura, rendi i ditës në seancën konstituive të këtij Kuvendi, vetëm dëshmi shtesë janë se këta njerëz e bëjnë vetëm atë që i konvenon pushtetit por jo qytetarëve”, është shprehur Hyseni.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha.
“Një prej premtimeve ka qenë se do t’i luftojë oligarkët. A ëshë oligark Martin Berishaj i akuzuar për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës dhe abuzim me miliona euro. A kemi pasur ndonjë shkarkim, jo, sepse ai është shok i Albin Kurtit duke e arsyetuar mafinë energjetike që e ka instaluar Kurti në Kosovë”, është shprehur Kadijaj.
