Arbëri

Deliu-Kodra: Berishaj duhet të shkarkohet sa më parë

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën të enjten me diskutimin për ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka shtruar çështjen duke kërkuar shkarkimin e tij.

Sipas saj, Qeveria e Presidenca nuk janë gjykatës e as prokurorë.

Deliu-Kodra ka thënë se me skandalin e tij, Berishaj ua ka vështirësuar rrugën edhe ambasadorëve të tjerë.

Ajo ka thënë se kjo po ndodhë pikërisht në kohën kur Kosova ka mundësi për anëtarësim në OKB.

“Qeveria po e mbron dhe nuk po e shkarkon këtë ambasador. Janë shkarkuar diplomat vetëm pse kanë shprehur qëndrim në rrjete sociale. Dëmin që ai ia ka shkaktuar vendit është i pariparueshëm. Qëndrimi i Berishajt në këtë shtet është shumë i dëmshëm”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Berishaj sa më parë duhet të shkarkohet nga detyra e tij.

Emri i Berishajt është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Slloveni. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili të dielën i ka fituar zgjedhjet.

Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting.

Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven.

Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Raportimi për përfshirje të Berishajt në shpëlarje të parave ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Partitë opozitare, të cilat ditëve të fundit kanë bërë përpjekje për themelim të një komisioni hetimor për krizën energjetike në vend, por që kanë dëshrtuar deri më tash, e kanë lidhur këtë me rastin e Berishajt.

Për rastin e ambasadorit Berishaj, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar javën e kaluar se i besojnë atij dhe se këto çështje janë për organet e drejtësisë.

“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës, sepse është ambasador i Republikës sonë kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do t’i drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë. Dhe pastaj të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organeve të drejtësisë para se të bëjmë konstatime siç i dëgjuam”, ka thënë presidentja Osmani të premten.


Kusari-Lila: Partitë politike të jenë të vetëdijshme për situatën me Serbinë

Ndërkaq shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Ajo ka thënë se përkundër shqetësimeve që sjellin këto sulme, asgjë nuk është e pa pritshme në Evropë.

Kusari-Lila ka thënë se Serbia listën e provokimeve e ka të qartë.

“Me Serbinë është e pritshme lista e provokimeve. Rrethanat e krijuara nuk e kanë fokusin e ngushtuar të veprimit. Është e gjatë lista e sulmeve dhe luftës hibride të Rusisë ndaj shteteve tjera me të gjitha metodat. Është e rëndësishme që partitë politike të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë. Këtë javë e kemi parë që një pjesë e opozitës ka rënë në kurth, lufta hibride kështu duket”, ka thënë ajo.