“Dua të them që këto spekulime, të cilat janë bërë, i hedh poshtë. Ato kanë vetëm një qëllim, që të denigrohet personaliteti im, imazhi i Kosovës, dhe të bëhen çështje për t’i futur në marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Kroacinë apo Slloveninë. E fusin njerëzit të cilët kanë dëshirë të bëjnë emër, në emër të tjerët kujt. Këta shpifës do të dalin para gjyqit”, ka deklaruar Berishaj, teksa ka refuzuar që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve nëse ai është kontaktuar nga Prokuroria apo nga Policia lidhur me pretendimet
Spekulime me prapavijë politike i ka kualifikuar ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, akuzat e ngritura ndaj tij për shpëlarje parash.
Duke folur në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik Kosovë–Kroaci, Berishaj i ka hedhur poshtë, të enjten, të gjitha akuzat, duke thënë se ato janë bërë me qëllim që ta denigrojnë personalitetin e tij, si dhe imazhin e Kosovës, përderisa ka paralajmëruar se të gjithë ata “që kanë shpifur për të” do të dalin para drejtësisë.
“Dua të them që këto spekulime, të cilat janë bërë, i hedh poshtë. Ato kanë vetëm një qëllim, që të denigrohet personaliteti im, imazhi i Kosovës, dhe të bëhen çështje për t’i futur në marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Kroacinë apo Slloveninë. Fusin njerëzit të cilët kanë dëshirë të bëjnë emër, në emër të tjerët kujt. Këta shpifës do të dalin para gjyqit”, ka deklaruar Berishaj, teksa ka refuzuar që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve nëse ai është kontaktuar nga Prokuroria apo nga Policia lidhur me pretendimet.
Mediat në Slloveni që nga viti i kaluar kanë raportuar se ambasadori Berishaj është i përfshirë në një skandal financiar, bashkë me politikanin slloven, Robert Golob. Bazuar në raportime, kompania e ambasadorit kosovar “MB Consulting” ka pranuar disa transaksione në vlerë prej 600 mijë eurosh nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven, GEN. Paratë e pranuara më pas është raportuar të jenë nxjerrë gradualisht nga kompania e Berishajt dhe i janë kthyer politikanit Golob në formën e parave të gatshme.
Përkitazi me akuzat e ngritura, opozita në Kosovë ka kohë që ka kërkuar nga Qeveria që të marrë vendim për shkarkimin e ambasadorit. Ndërkaq në ngjarjen në të cilën ishte i pranishëm edhe Berishaj, përfaqësues të Partisë Demokratike (PDK) kanë organizuar një aktivitet proteste.
Anëtari i PDK-së, Milot Krasniqi, ka hedhur monedha të parasë së Serbisë – dinarë – në drejtim të ambasadorit. Ai ishte arrestuar për veprimin, por është liruar pas disa orësh.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka njoftuar për lirimin e tij nga “arrestimi i padrejtë dhe arbitrat” nëpërmjet Facebookut.
“Miloti tashmë është liruar, por ai që në të vërtetë do të duhej të arrestohej sot është vetë Ambasadori Berishaj, për aferën e dyshimtë korruptive dhe për dëmin e madh që i ka shkaktuar imazhit të Kosovës. Ai dhe kryeministri Kurti, bashkëpunëtori dhe mbrojtësi i tij, nuk mund të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke marrë pjesë nëpër aktivitete publike. Janë miliona euro që Ambasadori Berishaj i ka marrë nga kompania GEN-I, me seli në Beograd, disa kallëzime penale të ngritura e dhjetëra raportime të mediave ndërkombëtare për aferën skandaloze, që kërkojnë sjelljen e tij para drejtësisë. I vetmi vend ku Martin Berishaj do të duhej të fliste është para organeve të drejtësisë, e jo nëpër konferenca. Për të vërtetën dhe llogaridhënien e plotë të kësaj afere nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e plotë të saj!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
KOHA ka raportuar në fillim të janarit se Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj, nën dyshimin se ka shmangur taksat për paratë që dyshohet si i ka marrë nga GEN-i i Serbisë.
Pavarësisht këtyre raportimeve, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk ekziston asnjë provë faktike për lirimin e Berishajt nga detyra e ambasadorit.