Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Martin Berishajt

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, të premten kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Siç ka njoftuar LDK-ja, Berishaj ka gënjyer gjatë dëshmisë në komisionin hetimor parlamentar më 17 nëntor të vitit 2022.

“Dorëzuam në Prokurorinë Speciale të Kosovës një kallëzim penal rreth dëshmisë jo të sakte dhe jo të vërtete që ambasadori Martin Berishaj ka bërë para këtij komisioni me datën 17 nëntor kur është intervistu në Komisionin Hetimor. Me qëllim që të mbrojmë ne dinjitetin e Kuvendit të Kosovës, të mbrojmë dinjitetin e kësaj republike, ne nuk mund të tolerojmë situata ku vjen një ambasador dhe gënjen para Komisionit”, ka thënë Selmanaj pas dorëzimit të kallëzimit penal.

“Nuk i thotë të vërtetat përkundër se është i informuar paraprakisht për pasojat ligjore dhe penale që mund t’i ketë. Ne u nisëm nga ky fakt dhe dorëzuam kallëzimin penal, tani mbetet në dorën e Prokurorisë dhe prokurorëve t’i shkojë deri në fund kësaj çështje. Ne i kemi ofruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe tash presim që të zbardhet e vërteta që besoj që do të ishte në interes, jo vetëm të neve si deputetë, po mendoj që zbardhja e të vërtetës e gjithë aktivitetit të ambasadorit Berishaj do të ishte një nder i madh që duhet t'i bënim dhe do t' bëhet besoj vendit tonë, Kosovës”, ka thënë ai, raporton EO. 

Në prill të vitit të kaluar, ambasadori Berishaj akuzohej nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Mbështetur në raportimet e asaj kohe, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Berishaj pati mohuar akuzat duke u kundërpërgjigjur me padi ndaj raportuesve.

KOHA pati raportuar në fillim të këtij viti se Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj nën dyshimin se ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.

Edhe Ambasadori Berishaj intervistohet si i dyshuar për shpëlarje parash LAJMET E MBRËMJES Ambasadori Berishaj intervistohet si i dyshuar për shpëlarje parash

Sipas burimeve, këto para janë transferuar në xhirollogari të kompanisë së Berishajt në një nga bankat me seli në Kosovë. Transferet janë bërë me përshkrim si pagesa për konsulencë, e për të cilat Berisha i është shmangur tatimit.