Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Berishaj ishte ofruar për paraqitje në Prokurori, Gashi thotë se s’morën përgjigje

Martin Berishaj

Tomë Gashi, përfaqësues ligjor i ambasadorit të Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, ka thënë se Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur në një kërkesë që ka bërë në emrin e Berishajt për t’u paraqitur në këtë prokurori më 27 janar, pas raportimeve se Policia ka dërguar kallëzim penal ndaj tij.

KOHA pati raportuar në fillim të janarit se hetues të Policisë kanë ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt pas hetimit preliminar të nisur muaj më herët, e nën dyshimet se Berishaj ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019-2022.

Të premten, Gashi ka publikuar një letër që thotë se ia kishte dërguar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, me kërkesën që Berishaj të paraqitet në Prokurori më 27 janar, pasi që gjendej në Kosovë.

“Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci – z. Martin Berishaj po ju drejtohem në lidhje me qarkullimin e lajmit se kinse Policia e Republikës së Kosovës ka dërguar një kallëzim penal kundër klientit tim, Z. Martin Berishaj. Andaj po ju drejtohem për sqarim, dhe ju lutem të na përgjigjeni me shkrim nëse z. Martin Berishaj ka ndonjë çështje penale të regjistruar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Z. Martin Berishaj është prezent në Prishtinë dhe ka shprehur gatishmërinë që sot të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në lidhje me këtë çështje. Ju lutem, që të na njoftoni se a mundet z. Martin Berishaj të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në lidhje me këtë çështje”, thuhet në letrën e publikuar nga Gashi në Facebook.

“Martini nuk ka se çfarë të fshehë”, ka shkruar Gashi si përshkrim të letrës.

Image

Në një deklaratë për KOHËN, ai ka thënë se s’kanë marrë përgjigje në këtë kërkesë. Në anën tjetër, kryeprokurori Isufaj s’është lajmëruar në thirrjet telefonike pasditen e së premtes.