Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Daçiq thotë se Burundi e ka tërhequr njohjen për Kosovën

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka deklaruar se Burundi e ka tërhequr njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

“Këto ditë në Prishtinë po shënohet 10 vjetori i shpalljes së njëanshme të pavarësisë. E kam një dhuratë. E solla notën e Ministrisë së Jashtme të Burundit ku ky shtet e tërheq njohjen e Kosovës”, tha Daçiq në një konferencë për shtyp.

Daçiq pohon se në këtë mënyrë dëshmoi se sa e brishtë është pavarësia e Kosovës dhe sa e rrejshme është lista prej 116 shteteve të cilën autoritetet në Kosovë ua tregojnë qytetarëve të vet.

“U bëj thirrje që të tregojnë letrat e të gjitha 116 shteteve. Në atë listë ka shtete që asnjëherë nuk e kanë njohur pavarësinë”, theksoi Daçiq duke shtuar se çështja e Kosovës nuk zgjidhet dot pa marrëveshje me Serbinë.

I pyetur se si, si ministër i Jashtëm po ia del të bindë shtetet të tërheqin njohjen e Kosovës ai tha se i akuzon politikanët tjerë për paaftësi për këtë, përcjell KTV. Ai shtoi se do të luftojë për interesat e Serbisë duke thënë se Serbia nuk është super-fuqi, ama më e madhe se Kosova gjithsesi se është.

Së fundi Serbia i ka dërguar edhe notë protestuese Barbadosit pasi ky shtet njoftoi se e njeh pavarësinë e Kosovës.