Deputetja e Partisë Demokratiek të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti jashtë çdo rregulli e shpalli Kuvendin të konstituuar, e e zgjodhi Qeverinë pa asnjë fije përgjegjësie politike.
Çitaku në një reagim ka shkruar se do të përdorin çdo mjet politik e juridik për ta rikthyer demokracinë, ligjshmërinë e rendin kushtetues.
PDK-ja ka njoftuar se nesër do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, derisa paraprakisht deklaroi se do ta kontestojnë edhe konstituimin e Kuvendit, edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.
“Republika nuk funksionon sipas vullnetit të një njeriu. Kuvendi nuk është pronë private. Kushtetuta nuk është meny prej së cilës zgjedh çka të pëlqen e çka jo. PDK as nuk joshet, as nuk shantazhohet, e as nuk nënshtrohet. Kemi me përdorë çdo mjet politik dhe juridik për me e rikthy demokracinë, ligjshmërinë dhe rendin kushtetues në vend”, ka shkruar Çitaku.
Sot është votuar Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës.
Edhe
Çitaku – Kurtit: Nëse ka njeri që s’e njeh rezultatin zgjedhor je ti, 51% s’janë 100%
Votimit të Qeverisë i ka hapur rrugë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e mbajtur në orët e paradites.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e 11-të pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.