Arbëri

Cakolli për moskonstituimin e Kuvendit: Problemi është politik, prandaj s’mund të ketë zgjidhje teknike

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se bllokimi i Kuvendit pas dështimit për ta zgjedhur kryetaren për 22 herë me radhë është thelbësisht problem politik dhe jo teknik, ndaj kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për kalim në votim të fshehtë nuk ofron zgjidhje reale. Për më tepër, Cakolli ka thënë se ndryshimi i mënyrës së votimit është shkelje e rëndë procedurale që dëmton tërë procesin vendimmarrës për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Sipas tij, kryesuesi i seancës, Avni Dehari po përdor manovra procedurale për të bllokuar procesin, në një përpjekje për ta ndalur procesin zgjedhor për kryetaren e Kuvendit, “pas dështimeve të njëpasnjëshme të kandidates Albulena Haxhiu për të marrë votat e nevojshme”.

“Duke pasur parasysh këtë situatë, ku Kuvendi është shndërruar në një strukturë që nuk funksionon, ne si organizatë e shoqërisë civile organizuam sot aksionin e parë protestues”, ka deklaruar Cakolli në Interaktiv, duke komentuar aksionin para nisjes së seancës së sotme ku u vendos 120 karrige e alarme si kritikë për bllokadën në Kuvend.

Ai theksoi se pasojat e bllokimit të Kuvendit tashmë nuk janë vetëm politike apo të imazhit, por për herë të parë ka edhe ndikim të drejtpërdrejtë financiar, sidomos në raport me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, i cili ka mbetur i ngrirë.

“Është e kotë të kërkojmë fajtor vetëm në një drejtim. Të gjitha partitë politike po përfitojnë nga kjo situatë. Por, barrën më të madhe e ka LVV-ja si fituese e zgjedhjeve, e cila duket se nuk ka interes të ngutet për formimin e institucioneve”, ka thënë ai.

Cakolli shtoi se problemi nuk mund të zgjidhet me ndryshime teknike siç është votimi i fshehtë, pasi kjo vetëm sa do të dëmtonte integritetin e procesit dhe do ta thellonte krizën.