Bujqit presin rendimente më të ulëta të grurit këtë vit. Ata thonë se kjo po ndodh si pasojë e kushteve klimatike dhe ripleherimit që bëhet në pranverë. Por ata i ka demantuar Ministria e Bujqësisë e cila thotë se nga të dhënat në terren këtë vit është tejkaluar mesatarja prej 4 mijë kilogramëve për hektarë.
Ndezja e kombajnave në muajin korrik karakterizon fillimin e procesit të korrje-shirjeve të grurit, që është mbjellë në tetor të vitit të kaluar.
Procesin e korrje-shirjeve po e kryen edhe bujku Gani Dobratiqi, nga fshati Lebanë i Prishtinës i cili ka të mbjellë 17 hektarë.
Thotë se këtë vit ka mbjellë rreth 6 hektarë më shumë, por pret që të ketë rendimente më të ulëta se vitin e kaluar.
“Pastërtia, kualiteti i grurit është mesatarisht i mirë, pres diku rendiment afër 3600-3700 kilogramë për hektar, që i bie rreth 1 mijë e 500 kilogramë më pak se vjet. Vitin e kaluar kam mbjellë rreth 11 hektarë dhe i kam pasur mesataren 5000 kilogramë për hektar. Këtë vit kam sipërfaqe më të madhe dhe rendimenti është më i vogël, por deri të korret deri në fund nuk mund të them sigurt”, ka thënë Gani Dobratiqi, bujk nga Prishtina.
Sipas Dobrtatiqit, i cili është edhe zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunë të Prishtinës, ai nuk është i vetmi që ka rendimente të ulëta sivjet.
Thotë se ulja e rendimentit është bërë si pasojë e kushteve klimatike dhe ripleherimit që bëhet në pranverë.
“Ky vit është me rendimente të ulëta, po kam informata sepse komunikoj me fermerët edhe në cilësinë e fermerit dhe para dy ditëve, dy fermerë në Hajvali kanë thënë se as 2 mijë kilogramë nuk i kanë qitë për hektarë. Te rendimenti ndikojnë shumë faktorë”, ka thënë Dobratiqi,
Sipas burimeve të KOHËS, të dhënat nga terreni flasin për një rendiment më të ulët në gjithë Kosovën, edhe pse, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë këtë vit ka pasur mbjellje më të madhe të sipërfaqeve tokësore në niveli vendi.
Ky dikaster thekson se nga të dhënat e terrenit, këtë vit është tejkaluar mesatarja prej 4 mijë kilogramëve për hektarë.
“Deri më tani, nga terreni raportohet që rendimenti në shumicën e vendeve e tejkalon edhe mesataren prej 4000kg për hektarë. Në baza javore pranojmë informata prej drejtorive komunale të Bujqësisë, në bazë të të cilave edhe përditësohet Raporti i të dhënave rreth korrje-shirjeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë njofton se vetëm me grurë janë mbi 66 mijë hektarë të mbjellë në gjithë Kosovën.
Kjo shifër përfshin edhe sipërfaqet nën dy hektarë, ndërsa mbi dy hektarë numri i sipërfaqeve të mbjella është 51,282.96 hektarë, me një rritje prej 15.55% krahasuar me vitin e kaluar.