Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dobratiqi: Çmimi i grurit është i ulët, problem edhe klima jostabile në Kosovë

Gani Dobratiqi, bujk nga fshati Lebanë e Prishtinës, deklaroi se çmimi i grurit është i ulët dhe fermerët po punojnë me humbje, por sipas tij, problemi është edhe me klimën jostabile në Kosovë.

Ai deklaroi në SOT të KTV-së të hënën se autoritetet qendrore i kanë përkrahur fermerët, por fitimet që bujqit i marrin nga të mbjellat, sipas Dobratiqit, nuk janë të mjaftueshme.

Ai tha se bujqësinë e ka pasion dhe se bashku me familjen, merren intensivisht me këtë lëmi.

“Kam 30 hektarë sipërfaqe, 17 me grurë, 7 misër, të tjerat bimë farogjene pasi posedoj një fermë qumështorë me 10 krerë dhe 7 viça. e kam trashëgimi familjare, mburrem me këtë që bëj, kam pasion bujqësinë dhe të gjitha i kam arritur me bujqësi. Familjarët më përkrahin, të gjithë merren me këtë. fillimi i të mbjellave, është sezona me u zgju më herët, tash në fushatën e korrje-shirjeve i kam korrur 12 hektarë, tash i kam edhe 5. Mekanizmi më modern është se në të kaluarën, është më lehtë. Unë zgjohem në orën 5, i kryej aktivitetet në stallë dhe pastaj i kryej punët e tjera. Në tre vjetër e fundit kosova po përballet me klimë jostabile për prodhuesit e grurit”, deklaroi ai.

Sipas Dobratiqit, reshjet e shumta të shiut sivjet i kanë dëmtuar bujqit, ndërsa edhe thatësia e lartë e 2022-s ka bërë që rendimenti të mos jetë i mjaftueshëm.

Edhe Rendimenti i grurit i lartë sivjet, por çmimi i ulët pengon fitimin SOT Rendimenti i grurit i lartë sivjet, por çmimi i ulët pengon fitimin

“Fermerët kanë pësuar dëme të pariparueshme. Në bujqësi është sfidë e madhe dhe dy kulturat në Kosovë janë problem të arrijnë rendiment të mirë. te misri ose te gruri. Në 2016-n kam arritur rekord 7 mijë kilogramë për hektarë, jemi në një zonë ku toka dallon...E sivjet rreth 4 mijë kilogramë për hektarë. Për gjysmë më pak. Çmimi i grurit është shumë i ulët, 20 cent. Tash edhe tregu është i ulët. Askush s’e ka mbi 20 cent. Prishtina ka përkrahur me nga 1050 euro për hektarë, për të cilën e falënderoj”, tha bujku nga Prishtina.

Ai u shpreh se për 10 ditë do të përfundojë procesi i korrje-shirjeve, ndërsa u bëri apel bujqve që të kenë kujdes me zjarret, pasi si pasojë e temperaturave të larta, mund të shtohen.