Arbëri

Borell: Dialogu, rruga e vetme e Kosovës drejt BE-së

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë se dialogu me Serbinë është rruga e vetme e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Borell po mban një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Rruga evropiane e Kosovës shkon nëpërmjet dialogut, nuk ka rrugë tjetër, alternativë tjetër. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është esenciale për të ecur drejt perspektivës evropiane, pa këtë rruga do të bllokohet. Për këtë e udhëzova z. Kurti që të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë, dhe ai e ka kuptuar personalisht. Unë e ekipi im, përfshirë përfaqësuesin e lartë Mirosllav Lajçak, jemi të gatshëm të ndihmojmë përfaqësuesit e rinj të Kosovës të familjarizohen me procesin që po ndodh. Nuk po fillojmë tash, kemi punuar me qeverinë e kaluar. Nuk mund të hedhim nga dritarja punën e bërë me qeverinë e kaluar, duhet të kuptoni këtë dhe të familjarizoheni me këtë për të vazhduar procesin”, ka thënë Borrell në konferencë për media.

Ai ka treguar se një takim i nivelit të lartë mes dy palëve pritet të mbahet deri në fund të qershorit. Kurti kishte refuzuar më herët datën që e kishte përmendur Borrelli, 11 majin.

“Nuk do të jetë e lehtë, e kënaqshme, por është për benefitet e qytetarëve në Kosovë e Serbi dhe për gjithë Ballkanin. Na duhet ky proces të ec shpejt, e të kemi takim të parë të nivelit të lartë. Mos të vendosi një afat përfundimtar unë, por ju e unë e kemi në mendje, të organizohet para fundit të qershorit takimi i nivelit të lartë”, ka shtuar Borrell.

Borrell ka thënë se dialogu është në interes të vet Kosovës. Ai ka përmendur edhe investimet e mëdha që BE-ja ka bërë në Kosovë që nga viti 2007.

“Nuk thashë që Kosova do të bllokohet, por e thash se rruga evropiane e Kosovës do të bllokohet. Është kryesisht në interes të Kosovës të marrë pjesë në këtë dialog. Nuk është në interes tonë, është në interes tonë po ashtu pasi duam stabilizim, paqe e prosperitet në Ballkanin Perëndimir, por është kryesisht në interes të Kosovës të angazhohet në dialog, dhe nuk po më bëjnë mua favor, jam unë që po mundohem të ndihmojë. Jam lodhur me storiet se nuk po ndihmohet Ballkani Perëndimor”, ka thënë Borrell.

Ai ka treguar se me Kurtin sot ka folur për marrëdhëniet bilaterale BE – Kosovë, për situatën në Kosovë, dialogun Kosovë – Serbi e për zhvillimin rajonal. Ai ka përgëzuar Kurtin për mandatin e fortë që ka fituar.

“Kur një lider merr një mandat të fortë nga njerëzit e vet, kuptohet se po ata po të ofrojnë mundësi të qartë për të bërë reformat e rëndësishme, që janë vonuar tepër kohë, reforma që do të sjellin afër standardeve evropiane dhe afër BE-së. Presim të shfrytëzosh këtë mundësi me përkushtim, pasi ne duam po ashtu të shohim të avancoj Kosova në rrugën evropiane. Më besoni se Kosova nuk është e vetme në këtë”, ka thënë Borrell.