Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Separatisti katalanas, Carles Puigdemont do të kthehet në Spanjë pas një dekade në mërgim

Carles Puigdemont

Foto: Associated Press

Separatisti katalanas dhe ish-udhëheqësi i rajonit, Carles Puigdemont, ka njoftuar të mërkurën se do të kthehet në Spanjë më 12 dhjetor, duke i dhënë fund gati një dekade në mërgim vullnetar, pasi Gjykata e Lartë zbatoi ligjin e amnistisë dhe mbylli çështjen penale ndaj tij.

Gjatë një konference për media, të transmetuar nga Brukseli, ai ka thënë se më 17 dhjetor do të prezantojë propozimin e tij për një përpjekje të re për pavarësinë e Katalonjës.

Puigdemont ishte larguar drejt Belgjikës në tetor të vitit 2017, pasi organizoi një referendum për pavarësinë, të cilin gjykatat spanjolle e shpallën të paligjshëm. 

Votimi ka shkaktuar krizën më të rëndë politike në Spanjë në disa dekada dhe ka thelluar tensionet mes Madridit dhe Katalonjës, një rajon i pasur në verilindje të vendit, me gjuhën dhe kulturën e vet, si dhe një lëvizje të fuqishme separatiste.

Amnistia, e miratuar nga parlamenti në vitin 2024, ishte pjesë e një marrëveshjeje mes Partisë Socialiste të kryeministrit Pedro Sanchez dhe grupeve separatiste katalanase, përfshirë partinë Junts të Puigdemontit. Këto grupe siguruan mbështetjen e tyre për rizgjedhjen e Sanchezit në vitin 2023.

Opozita konservatore spanjolle e kundërshtoi pa sukses këtë masë si në gjykata, ashtu edhe në parlament.