Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

BE: Dialogu e integrimi evropian, procese të pandashme

Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se rruga evropiane për Kosovën e Serbinë kalon nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja. “Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Me fjalë të tjera, mosprogresi në dialog nënkupton mosprogres në procesin e pranimit në BE”, ka thënë ai në një konferencë për media në Bruksel. Krahas kësaj, ai ka thënë për KOHËN se si Kosova ashtu edhe Serbia rrezikojnë që të humbasin “mundësi të rëndësishme” po qe se nuk i zbatojnë zotimet e dala nga dialogu

Të pandashme prej njëra-tjetrës e kanë kualifikuar në Bashkimin Evropian (BE) procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë dhe atë për integrimin e dy shteteve në bllokun evropian.

Në Brukselin zyrtar e kanë shprehur të enjten këtë qëndrim si përgjigje ndaj thirrjes së adresuar ditë më parë nga kryeministri Albin Kurti për ndarjen e dialogut nga procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Nga një konferencë shtypi në Shkup, pas pjesëmarrjes në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me ata të BE-së më 22 janar, Kurti ka thënë se është në interesin e shtetit të Kosovës, të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara (SHBA) që procesi i anëtarësimit të Kosovës në bllokun evropian të mos jetë i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve.

Por zëdhënësi i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të enjten se rruga evropiane për Kosovën e Serbinë kalon nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Me fjalë të tjera, mosprogresi në dialog nënkupton mosprogres në procesin e pranimit në BE”, ka thënë ai në një konferencë për media në Bruksel.

Krahas kësaj, në BE kanë thënë nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN se si Kosova ashtu edhe Serbia rrezikojnë që të humbasin “mundësi të rëndësishme” po qe se nuk i zbatojnë zotimet e dala nga dialogu.

“Siç thuhet në dokumente të shumta zyrtare të BE-së dhe së fundmi në konkluzionet e Këshillit të 12 dhjetorit 2023, normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut janë kushte thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, është thënë në përgjigjen e BE-së.

Qëndrimin për mosndërlidhjen e integrimit evropian të Kosovës me dialogun e ka kualifikuar të rëndësishëm zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tek ka folur rreth çështjes në një konferencë të përbashkët me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak. Por ministri çek ia ka bërë të qartë Bislimit se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

E në BE disa diplomatë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) se zgjidhja e problemeve apo e çështjeve të hapura me fqinjët është në thelbi i procesit të zgjerimit për secilin vend.

“Bashkëpunimi rajonal, fqinjësia e mirë dhe gatishmëria për zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët nëpërmjet mjeteve politike dhe dialogut, qysh nga Samiti i Zagrebit në vitin 2000 e deri me sot është vendosur si kusht në procesin e zgjerimit. Pa këtë kusht zgjerimi nuk do të kishte kuptim, sepse BE-ja nuk dëshiron të ketë vende anëtare të cilat kanë konflikte me fqinjët“, ka thënë një diplomat i BE-së. “Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një prej çështjeve më të rëndësishme jo vetëm për këto dy vende, por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Këtë qëndrim e ka shprehur edhe Stano të enjten.
“Raportet e mira fqinjësore, pajtimi dhe normalizimi i raporteve janë gur themeltar i procesit të anëtarësimit në BE për secilin vend aspirues. Kjo, po ashtu, është pjesë ligjore e përfshirë në dokumentet relevante që lidhen me procesin e anëtarësimit të Kosovës, Serbisë dhe të gjitha vendeve të tjera. Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare kanë qenë të qarta si kristali - në deklaratat publike dhe direkt me partnerët, se rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbin çon përmes dialogut për normalizimin e raporteve”, ka thënë ai, duke i rikujtuar konkluzionet e Këshillit të BE-së që nga viti 2013 e deri te konkluzionet e fundit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme, më 12 dhjetor të vitit të shkuar.

Në këto konkluzione ishte shkruar se normalizimi i raporteve dhe implementimi i obligimeve nga dialogu janë kushte esenciale në rrugën evropiane të Kosovës dhe të Serbisë dhe të dyja rrezikojnë të humbin rastet e rëndësishme në mungesë të progresit.

Sipas diplomatëve evropianë, dialogu është mjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa normalizimi është kusht për të dyja vendet për progresin e tyre në procesin e integrimeve evropiane. Prandaj, thonë këto burime, është e pamundur dhe do të ishte në kundërshtim me logjikën e procesit të zgjerimit sikur ky kusht të hiqej.

Burimet e BE-së kanë thënë se edhe nga Serbia është dëgjuar disa herë se nuk mund “të mbetet peng i dialogut“, sepse Beogradi pretendon se i ka përmbushur të gjitha obligimet, kurse Kosova nuk i ka përmbushur dhe, sipas tyre, “Kosova mban përgjegjësi për mungesën e progresit në procesin e normalizimit të raporteve”. Por ajo që është e kuptueshme, sipas diplomatëve të BE-së, është që secili vend që aspiron anëtarësimin në BE të ketë rrugën e vet dhe të vlerësohet në bazë të meritave të veta individuale në përmbushjen e kritereve.

“Kjo do të thotë se nëse Kosova i përmbush obligimet e saj e Serbia jo, atëherë Kosova nuk do të pengohet për të përparuar. Do të vlejë edhe e kundërta, që Serbia të mos jetë peng i dështimit të Kosovës në përmbushjen e obligimeve”, ka thënë një diplomat i BE-së.

Burimet e REL-it në BE kanë rikujtuar se zbatimi i obligimeve nga dialogu do të bëhet edhe pjesë formale e procesit të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, duke e përfshirë edhe në kapitullin 35 të Kornizës negociuese të BE-së, siç kanë kërkuar edhe vendet anëtare.

Artikuj të ngjashëm