Aktori i njohur i filmit “Home Alone”, Macaulay Culkin, do të rikthehet në ekran me një projekt të ri kinematografik, ku do të ndajë rolin kryesor me aktoren Constance Wu dhe një kastë të njohur aktorësh.
Filmi, i cili ende nuk ka një titull zyrtar, shënon debutimin regjisorial të Walter Woodman. Sipas Deadline, në kast janë përfshirë edhe Ken Leung, Veronika Slowikowska, David Klein dhe Ethan Eng.
Projekti i realizuar nga studioja “A24” përshkruhet si një histori për rritjen dhe kalimin drejt moshës madhore, e vendosur në periudhën kur po lindte interneti. Detajet e tjera të subjektit mbeten ende të fshehta.
Ndërkohë, rikthimi i Culkin në një projekt të ri vjen në një moment kur Hollywoodi po përgatit edhe një vazhdim të mundshëm të “Home Alone”. Sipas raportimeve të Variety, “Disney” ka nisur zhvillimin e një filmi të ri në këtë ekskluzivitet, ndërsa Culkin thuhet se është përfshirë në fazat e para të skenarit, së bashku me yjet Seth Rogen dhe Evan Goldberg, të cilët pritet të jenë edhe producentë.
Culkin u bë i famshëm në rolin e Kevin McCallister në dy filmat e parë “Home Alone”, të publikuar në vitet 1990 dhe 1992. Ai nuk u rikthye në filmin e tretë, i cili solli një personazh të ri kryesor.
Regjisori i dy filmave të parë, Chris Columbus, ka shprehur dyshime nëse një vazhdim i ri mund të ketë të njëjtin sukses pa aktoren Catherine O’Hara, e cila interpretoi nënën e Kevinit dhe vdiq në vitin 2026.
Në një intervistë për Variety, Columbus ka theksuar rëndësinë e dy aktorëve kryesorë për suksesin e filmit.
“Catherine përbën 50 për qind të Home Alone. Zemra emocionale e filmit ishte kombinimi mes Catherine O’Haras dhe Macaulay Culkinit. Pa këta të dy, filmi nuk do të ishte i njëjti”, u shpreh ai.
Megjithatë, regjisori nuk e përjashton mundësinë e një filmi të ri që do të përqendrohej te pjesëtarët e tjerë të familjes McCallister.
Sipas tij, suksesi i filmit të parë nuk qëndronte vetëm te historia, por mbi të gjitha te kasti i aktorëve.
“Mund të mendohet për një tjetër film me familjen McCallister, por gjithçka varet nga aktorët. Fatkeqësisht, një vazhdim me Catherine dhe Macaulay në qendër nuk është më i mundur”, ka përfunduar Columbus.