Arbëri

BE-ja heq disa prej masave ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian dhe Kosova

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur të martën se ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, sipas së cilës Kosovës i janë hequr disa prej masave ndëshkuese të vendosura më 2023. Sipas letrës, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit. E Bislimi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh

Bashkimi Evropian (BE) i ka hequr disa prej masave të vendosura ndaj Kosovës, sipas një letre të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman, dërguar zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi.

Sipas kësaj letre, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar si “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit.

Zëvendëskryeministri Bislimi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.

“Bazuar në këto dhe në përputhje me komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare”, thuhet në letër.

Kjo është dëshmi që Komisioni nuk do t’i heqë tash masat në tërësi dhe se paralajmërimi për heqjen e 50 për qind të masave do të bëhet në mënyrë graduale.

Megjithatë, mund të thuhet se nga e marta ka nisur heqja e masave graduale.

Disa burime të KOHËS në Bruksel kanë thënë se këto mjete janë liruar për arsye se mund të humbnin shpejt ngase atyre po u skadonte afati për përdorim.

Komisioni Evropian po ashtu ka kërkuar nga Kosova që t’i paraqesë projektet edhe për përdorimin e fondeve të IPA-s, pra të paraanëtarësimit për periudhën 2026-2027, si dhe ato duhet të miratohen edhe nga Komisioni Evropian e të mbështeten nga vendet anëtare.

E Bislimi ka theksuar se Qeveria në vazhdimësi ka insistuar për heqjen e masave, ndërsa ka shtuar se hapi pasues duhet të jetë heqja e plotë e masave.

“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbahen në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën në Bruksel për procesin e zgjerimit dhe i kanë miratuar konkluzionet për këtë proces. Në këto konkluzione thuhet se Këshilli Evropian përsërit konkluzionet nga e kaluara dhe e përshëndet heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, një formulim ky që është më pozitiv sesa ato të mëparshmet, por që nuk sqaron deri në fund se çfarë do të ndodhë dhe kur me masat ndaj Kosovës.

Në konkluzionet për Kosovën, por edhe në ato për Serbinë, shprehet keqardhja për faktin që ka ngecje në implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialog. Nga Kosova përsëritet që pritet ta nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia që të nisë me njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës dhe të ndërpresë kundërshtimin ndaj anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.