Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Biokimistët kundërshtojnë specializimin e farmacistëve në Biokimi Klinike

Protesta

Specializantë dhe mjekë specialistë të Biokimisë Klinike protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë kundër ndryshimeve në Udhëzimin Administrativ, të cilat ua mundësojnë edhe farmacistëve specializimin në këtë fushë. Sipas tyre, vendimi rrezikon standardet profesionale dhe cilësinë e diagnostikimit laboratorike

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për t’u hapur rrugë farmacistëve drejt specializimit në Biokimi Klinike, ka nxitur reagime nga mjekët specialistë dhe specializantët e kësaj fushe.

Ata kanë protestuar të enjten para Ministrisë, duke kërkuar tërheqjen e ndryshimeve në Udhëzimin Administrativ, të cilat sipas tyre rrezikojnë cilësinë e diagnostikimit laboratorik dhe zhvlerësojnë profesionin e biokimistit klinik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Besar Rexha, i cili është duke ndjekur specializimin në Biokimi Klinike, ka thënë se vendimi është i padrejtë dhe fyes për profesionistët e kësaj fushe.

“Tentohet që ky specializim t’u jepet personave jokompetentë. Konsiderojmë që ky vendim është i padrejtë, jo transparent dhe në kundërshtim me praktikën e deritanishme profesionale dhe institucionale”, ka thënë Rexha.

Edhe specialisti i Biokimisë Klinike, Sadik Gashi, ka kritikuar mënyrën se si është marrë vendimi, duke thënë se për ndryshime të tilla Ministria duhej të konsultonte komunitetin profesional dhe shoqatat përkatëse.

“Ministri është post politik, me gjithë respektin. Ndoshta nuk ka hasur te këshilltarët, në vesh të shurdhër, që s’e kanë konsultuar fare, se po të kishin bërë konsultime me biokimistët klinikë, shoqatën dhe komunitetin specialistik, nuk do të kishim ardhur deri te kjo gjë”, është shprehur Gashi.

Ndërkaq, përfaqësues të Shoqatës së Specialistëve të Biokimisë Klinike kanë thënë se vendimi bie ndesh me standardet evropiane dhe rrezikon cilësinë e shërbimeve laboratorike.

“Biokimia është oqeanike dhe nuk mundet në mënyrë absolute asnjë koleg tjetër. Nuk kemi asgjë kundër kolegëve të farmacisë, por ne reagojmë si mjekë të Biokimisë Klinike dhe kjo është një padrejtësi e madhe”, ka deklaruar Luljeta Hetemi nga Shoqata e Specialistëve të Biokimisë Klinike. 

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me pretendimet e ngritura nga protestuesit, por nuk ka marrë përgjigje.

Vendimi për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ është marrë nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai pati njoftuar për ndryshimet në kriteret e specializimeve dhe ka bërë të ditur se së shpejti pritet të shpallet konkursi i ri për shkollim specialistik.