Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar ndaj protestës së fermerëve të qumështit para ndërtesës së kësaj ministrie.
Në një komunikatë publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ministria ka theksuar se respekton të drejtën e tyre për të protestuar dhe e kupton situatën me të cilën po përballen.
Ministria ka bërë të ditur se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që po zhvillohen, pasi ato lidhen ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim.
Sipas ministrisë, institucionet janë duke bashkëpunuar me përfaqësuesit e sektorit për të garantuar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët dhe për të shmangur dëmet ekonomike për fermerët.
Tutje theksohet se masat e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë të drejtuara kundër industrisë së përpunimit, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në treg.
“Ministria është duke punuar me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe me përfaqësuesit e sektorit për të siguruar që grumbullimi i qumështit të freskët të vazhdojë dhe që fermerët të mos pësojnë dëme ekonomike si pasojë e veprimeve apo vendimeve të operatorëve ekonomikë. Veprimet e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë masa kundër industrisë së përpunimit. Ato janë masa për forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët që veprojnë në treg”, thuhet në reagim.
Edhe
AUV-ja njofton se ka nisur programimin e përhershëm të survejimit dhe monitorimit të sektorit të qumështit
Ministria njofton se ka intensifikuar kontrollet zyrtare në kufi dhe në treg, analizat laboratorike, si dhe ka vendosur raportimin e detyrueshëm për lëndët e para që përdoren në sektorin e qumështit, me qëllim garantimin e përputhshmërisë së produkteve me legjislacionin në fuqi.
Në reagim thuhet se fermerët kanë të drejtë të presin që qumështi i tyre të vlerësohet drejt dhe të mos zëvendësohet nga produkte që nuk deklarohen ose nuk përdoren sipas kërkesave ligjore, ndërsa konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve që blejnë.
Ministria ka bërë të ditur se procedurat administrative do të vazhdojnë në përputhje me ligjin dhe provat, pa u ndikuar nga presione, duke garantuar se do të punojë për të mbrojtur fermerët, konsumatorët dhe prodhimin vendor. Gjithashtu, u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të sektorit që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet për një sektor të qumështit të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues.