Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit po mban protestë para Ministrisë së Bujqësisë.
Fermerët janë duke protestuar me mjete bujqësore dhe kanë derdhur qumësht para objektit të Ministrisë.

“Mos na leni pa bukë” e “Mbroni prodhimet vendore”, janë disa nga pankartat që ata kanë mbajtur në duar. 

Sipas Shoqatës vendimi për protestë u mor unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik.

“Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek akterët kompetentë”, thuhej në njoftimin e shoqatës.

Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: “Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit; Publikimin urgjent të rezultateve, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi produktet vendore; Kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave”.

Edhe Fermerët e qumështit me traktorë e cisterna protestojnë nesër para Ministrisë së Bujqësisë Arbëri 1 j. më parë Fermerët e qumështit me traktorë e cisterna protestojnë nesër para Ministrisë së Bujqësisë

Protesta po mbahet pasi javën e kaluar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se përmes inspektimeve në kompaninë “Vita” ka hasur në mospërputhje me legjislacionin në fuqi pas verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit e inspektimit të linjave. 

Pa u bërë 24 orë nga inspektimi kompania po më 2 korrik njoftoi ndërprerjen e punës në qumështore. E drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Vita”, Arton Spahija, ka thënë se bordi e kishte marrë këtë vendim.

Pas kësaj Komisioni inspektues i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konstatuar se fabrika për përpunimin e qumështit “Vita” në Istog ka shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit. Zyrtarët e AUV-së thanë se rezultatet përfundimtare priten pas analizave laboratorike.

 


Prodhuesit e qumështit në protestë: “Vita” është e Kosovës, jo e Serbisë

“Mos na leni pa bukë”, “Mos prekni vendet e punës”, “Mos e dobësoni industrinë vendore”, e me pankarta të tjera fermerët e prodhimit të qumështit kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar që urgjentisht të fillojë grumbullimi i qumështit, pasi tash e katër ditë është ndaluar përkohësisht duke paraprirë mbylljen e përkohshme të qumështores Vita, raportoi Ekonomia Online.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve Fidan Krasniqi, ka thënë se që një vit janë duke trokitur nëpër dyer të ministrisë lidhur me situatën e krijuar duke kërkuar që të merren masa.

“Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit duke njoftuar ministritë përkatëse lidhur me gjendjen e krijuar në këtë sektor dhe duke kërkuar të merren masa që garantojnë investime dhe siguri të produkteve tona që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe e gjithë regjioni. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të këtyre produkteve dhe na akuzoni neve pse ato produkte shiten nëpër raftet tona me çmime shumë të lira”, ka thënë ai.

Edhe Ministria e Bujqësisë: Fermerët nuk preken nga procedurat në sektorin e qumështit Arbëri 1 j. më parë Ministria e Bujqësisë: Fermerët nuk preken nga procedurat në sektorin e qumështit

Krasniqi ka shtuar se sot janë bërë katër ditë që nuk e kanë dorëzuar qumështin.

“Andaj kërkojmë urgjentisht për shkak se prodhuesi vendor është në një situatë të palakmueshme sot bëhen katër ditë që ne nuk kemi ku ta dorëzojmë qumështin. Shumica e këtyre prodhuesve kanë qenë fermerë që e kanë dorëzuar qumështin të qumështorja ‘Vita’, është e vërtetë. Por, një gjë duhet ta dijë populli qumështi Vita është i Kosovës, nuk është i Serbisë. Lopët nuk janë çezme. Nuk mund t’i ndalim sot të mos prodhojnë, e të presim deri në momentin e duhur. Shumica e këtyre fermerëve, që i shihni me këto mjete bujqësore, janë të zhytur në kredi të cilat duhet t’i paguajnë. Të mos luhet me dinjitetin e tyre. Kërkojmë urgjentisht takim dhe zgjidhje të këtij problemi një herë e përgjithmonë, pse jo t’ia shtrijmë dorën këtij ministri, atij ministri apo atij ministri”, ka theksuar ai.

AUV: Ende s’ka rezultate zyrtare për mostrat e marra në qumështoren “Vita”

1 j. më parë / 6 kor 2026 21:55
AUV

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka sqaruar se rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të qumështit të marra më 2 korrik në qumështoren “Vita” ende janë në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar.

Në një postim në Facebook, duke iu përgjigjur një postimi të qumështores “Vita”, AUV-ja ka deklaruar se rezultat e të njëjtave analiza do të bëhen publike vetëm pas verifikimit nga autoritetet kompetente.

“AUV nuk ka përcjellur asnjë email me rezultate sepse të tilla ende nuk ka. AUV njofton opinionin publik se ky lajm me këto rezultate nuk paraqet qëndrimin zyrtar të institucionit e as nuk vijnë nga institucioni ynë. Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar. Siç është theksuar edhe gjatë takimit të mbajtur sot me përfaqësuesit e qumështores ‘Vita’ dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, rezultatet zyrtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të të gjitha analizave laboratorike dhe verifikimit të tyre nga autoritetet kompetente”, thuhet në reagim.

Më pas në postimin e AUV-it kanë komentuar përfaqësues të qumështores “Vita” duke thënë se nuk e kuptojnë qëllimin e reagimit, sepse sipas tyre, në faqen e tyre i kanë publikuar rezultatet e mostrave të datës 4 prill.

“Reagimi juaj na ka befasuar. Cili është qëllimi i këtij sqarimi, kur ne nuk kemi publikuar rezultatet e mostrave të datës 02.07.2026? Ne kemi publikuar vetëm rezultatet e analizave që na janë përcjellë nga institucioni juaj për mostrat e datës 04.05.2026, të cilat konfirmojnë se produktet VITA janë 100% qumësht, pa qumësht pluhur dhe pa vaj palme. Në të njëjtën deklaratë kemi theksuar qartë se rezultatet e mostrave të datës 02.07.2026 ende po i presim, sipas zotimit të Ministrit se do të publikohen deri më 13.07.2026. Pikërisht për respekt ndaj fermerëve dhe këtij procesi kemi vazhduar përkohësisht grumbullimin e qumështit. Prandaj, nuk e kuptojmë arsyen e këtij reagimi, pasi deklarata jonë nuk bie në kundërshtim me procesin që është duke u zhvilluar”, thuhet në reagimin e kompanisë.

“Vita”: Rezultatet e analizave të mëhershme të AUV-it vërtetuan që s’përdorim vaj palme e qumësht pluhur

1 j. më parë / 6 kor 2026 20:09
vit a

Qumështorja “Vita” ka njoftuar se rezultatet e mëhershme të mostrave të produkteve të qumështit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë treguar se produktet e tyre nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe nuk përmbajnë vaj palme.

Rezultatet e analizave të publikuara nga "Vita" mbajnë datën e 24 prillit 2026.

“Pas përfundimit të protestës që u zhvillua nga fermerët, sot më datë (06.07.2026), AUVK na ka përcjell një email i cili përmban rezultatet e mostrave të produkteve të qumështit VITA nëpërmjet të cilave rezulton se produktet e qumështit Vita nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe nuk përmbajnë vaj palme”, thuhet në postimin e tyre në Facebook.

Tutje kanë deklaruar se gjatë takimit të sotëm ndërmjet përfaqësuesve të fermerëve, Ministrit dhe përfaqësuesit e Qumështores “Vita”, janë dakorduar që të vazhdojë përkohësisht mbledhja e qumështit nga fermerët, ndërkaq për analizat e marra më 2 korrik, rezultati do të publikohet më së voni deri më 13 korrik.

“Këtë vendim e kemi marrë për hir të fermerëve dhe për shkak se Ministri Muja premtoi se rezultatet e analizave të mostrave të marra më datë 02.07.2026 do të publikohen jo më larg se 13.07.2026, ku deri më këtë datë, Vita do të vazhdojë mbledhjen e qumështit. Si gjithmonë, Qumështorja Vita së bashku me fermerët kemi qenë dhe jemi përkrahë konsumatorëve, duke i’u ofruar kualitet dhe cilësi të produkteve tona”, thuhet tutje në njoftim.

Në një reagim në Facebook, AUV-i ka thënë se rezultatet tregojnë për analiza të mëhershme dhe jo ato të cilat janë marrë me 2 korrik.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) demanton lajmin e publikuar në disa media lidhur me pretendimet se janë publikuar rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të qumështit të marra nga Inspektorati më 02.07.2026. AUV nuk ka përcjellur asnjë email me rezultate sepse të tilla ende nuk ka. AUV njofton opinionin publik se ky lajm me këto rezultate nuk paraqet qëndrimin zyrtar të institucionit e as nuk vijnë nga institucioni ynë. Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar. Siç është theksuar edhe gjatë takimit të mbajtur sot me përfaqësuesit e qumështores ‘Vita’ dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, rezultatet zyrtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të të gjitha analizave laboratorike dhe verifikimit të tyre nga autoritetet kompetente”, thuhet në njoftim.

Ministria e Bujqësisë: Fermerët nuk preken nga procedurat në sektorin e qumështit

1 j. më parë / 6 kor 2026 19:42
BUJQE

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar ndaj protestës së fermerëve të qumështit para ndërtesës së kësaj ministrie.

Në një komunikatë publikuar në faqen e tyre zyrtare  në Facebook, ministria ka theksuar se respekton të drejtën e tyre për të protestuar dhe e kupton situatën me të cilën po përballen.

Ministria ka bërë të ditur se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që po zhvillohen, pasi ato lidhen ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim.

Sipas ministrisë, institucionet janë duke bashkëpunuar me përfaqësuesit e sektorit për të garantuar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët dhe për të shmangur dëmet ekonomike për fermerët.

Tutje theksohet se masat e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë të drejtuara kundër industrisë së përpunimit, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në treg.

Ministria është duke punuar me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe me përfaqësuesit e sektorit për të siguruar që grumbullimi i qumështit të freskët të vazhdojë dhe që fermerët të mos pësojnë dëme ekonomike si pasojë e veprimeve apo vendimeve të operatorëve ekonomikë. Veprimet e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë masa kundër industrisë së përpunimit. Ato janë masa për forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët që veprojnë në treg”, thuhet në reagim.

Ministria njofton se ka intensifikuar kontrollet zyrtare në kufi dhe në treg, analizat laboratorike, si dhe ka vendosur raportimin e detyrueshëm për lëndët e para që përdoren në sektorin e qumështit, me qëllim garantimin e përputhshmërisë së produkteve me legjislacionin në fuqi.

Në reagim thuhet se fermerët kanë të drejtë të presin që qumështi i tyre të vlerësohet drejt dhe të mos zëvendësohet nga produkte që nuk deklarohen ose nuk përdoren sipas kërkesave ligjore, ndërsa konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve që blejnë.

Ministria ka bërë të ditur se procedurat administrative do të vazhdojnë në përputhje me ligjin dhe provat, pa u ndikuar nga presione, duke garantuar se do të punojë për të mbrojtur fermerët, konsumatorët dhe prodhimin vendor. Gjithashtu, u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të sektorit që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet për një sektor të qumështit të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues.

“Vita” rifillon grumbullimin e qumështit, AUV pritet të publikojë së shpejti rezultatet e analizave

1 j. më parë / 6 kor 2026 17:38
vita

Qumështorja “Vita” do të rifillojë nga sonte grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është zotuar se do të dalë sa më shpejt me rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të marra në këtë dhe qumështore të tjera, raporton Ekonomia Online.

Ky ishte rezultati i një takimi rreth treorësh mes ministrit të Bujqësisë, përfaqësuesve të Shoqatës së Fermerëve, prodhuesve të qumështit dhe përfaqësuesve të qumështores “Vita”, pas tensioneve të krijuara ditët e fundit.

Anëtari i Bordit të Shoqatës së Fermerëve, Fidan Krasniqi, tha se të gjithë akterët janë pajtuar që të priten rezultatet zyrtare të analizave.

“Po pas këtij takimi që e patëm me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, po e japim këtë komunikatë për media, ku në takim ishim ne prodhuesit e qumështit, shoqata po ashtu edhe përpunuesi në këtë rast qumështorja Vita. Pas një diskutimi të gjatë edhe me ministrin edhe me përpunuesin edhe me prodhuesit, u zotuan të gjithë akterët u zotuan që ministria në këtë rast më konkretisht Agjencioni për Ushqim dhe Veterinari, me një afat sa më të shpejtë do të dalin me rezultate të cilat, domethënë nga mostrat e marra nga qumështorja”, tha ai.

Krasniqi sqaroi se vonesa e publikimit të rezultateve lidhet me faktin se analiza nuk po kryhen vetëm për qumështoren “Vita”.

“Arsyeja e vonesës për këto rezultate është sepse nuk është mbyllur vetëm qumështorja Vita, mostrat janë marrë edhe në shumë qumështore të tjera dhe për shkak të specifikave të analizave që do të bëhen në këto produkte, ne po shpresojmë që këto rezultate do t’i kemi sa më shpejt”, tha ai.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit është arritur një marrëveshje e përkohshme, sipas së cilës qumështorja “Vita” do të nisë menjëherë grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët, ndërsa çështjet e tjera do të diskutohen në takimet e ardhshme.

“Nga qumështorja u zotua që nga sonte do të fillojë grumbullimi i qumështit të freskët prej fermerëve, për arsye të korrektësisë, domethënë u arrit një marrëveshje e përbashkët e përkohshme që po shpresojmë që në takimet e radhës do të zgjidhen edhe problemet e tjera të cilat i shprehën sot në forma protestive prodhuesit e qumështit”, tha ai.