Peja po përballet me probleme në furnizim me ujë. Autoritetet e kompanisë “Hidrodrini” kanë bërë të ditur se kjo gjendje është pasojë e rënies së ndjeshme të nivelit të ujit në burimin e Drinit të Bardhë dhe atij të Ujit të Zi.
Mungesa e ujit ka krijuar dyshime te qytetarët se uji po u ndalet me qëllim. “Kemi probleme me ujë. Prej orës 11.00 deri në ora 19.00 nuk kemi ujë që nga muaji qershor. Një pikë uji me pa kënaqësh, por nuk ka. Dhe më duket jemi e vetmja lagje në Pejë që nuk kemi ujë, edhe pse jemi në qendër të qytetit, nuk kemi ujë, derisa lagjet e tjera kanë ujë. Në këtë pjesë jemi rreth një mijë banorë që po kemi probleme për ujë. Po më duket se dikush prej inati nuk po na e lëshon”, shpreh dyshimet e tij qytetari Nysret Broqi, banor në rrugën “Sali Gjuka”, e cila fillon nga fundi i Çarshisë së Gjatë e vazhdon deri të qendra zejtare, shkruan sot Koha Ditore.
Broqi dyshon se problemet me ujë tash po ju vazhdojnë edhe prej disa punimeve që janë duke u bërë në rrugën “Ramiz Sadiku”, afër lagjes së tyre. “Kemi qenë të lidhur në një gyp dhe andej janë bërë disa ndarje dhe tash vetëm neve na ndalet uji e jo edhe atyre”, pohon Broqi. Mirëpo, në kompaninë e ujësjellësit “Hidrodrini” mohojnë se dikujt po i bëhet me qëllim ndonjë gjë që të mos kenë ujë.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)