Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka njoftuar konsumatorët e rajonit të Pejës dhe komunave që mbulon se, si rezultat i mungesës së gjatë të reshjeve atmosferike, nga thatësirat e muajit shtator dhe tetor, është krijuar rënie enorme e sasisë së ujit nëpër burime dhe kjo ka shtyrë që nga sot kompania të aplikojë reduktime në furnizim me ujë.
KRU “Hidrodrini” thotë se po bënë përpjekje maksimale që këtë situatë ta tejkalojë me sa më pak mungesë të ujit të pijshëm për konsumatorët.
“Edhe njëherë, qytetarët e rajonit të Pejës, respektivisht konsumatorët, janë të lutur që sasinë e ujit ta përdorin racionalisht. Një gjë e tillë do lehtësonte furnizimin proporcional me ujë për të gjithë dhe do ndikonte në zbutjen e reduktimeve”, ka thënë KRU “Hidrodrini”, ndërsa ka theksuar se reduktimet do të vazhdojnë deri në njoftimin e radhës nga kompania, raporton Koha.net.
Kompania po ashtu ka kujtuar se fatkeqësisht situatë e njëjtë paraqitet në të gjitha rajonet e Kosovës.