Arbëri

Bie interesimi për ligjërata, studentët e Mjekësisë kërkojnë ndryshime

Interesimi për ndjekjen e ligjëratave në Fakultetin e Mjekësisë ka rënë dukshëm viteve të fundit. Profesorët e shohin si pengesë faktin që studentët janë të ngarkuar me përgatitjen e provimeve të mbetura nga vitet e mëparshme e studentët e arsyetojnë mungesën me ngarkesën në studime dhe mungesën e interaktivitetit gjatë ligjëratave

Mungesa e interaktivitetit dhe ngarkesës së madhe në studime po vlerësohen si ndër faktorët kryesorë që studentët nuk po i ndjekin ligjëratat në Fakultetin e Mjekësisë.

E disa prej tyre thonë se mungesa në ligjërata duhet parë si sinjal për stafin akademik që të bëjë ndryshime.

“Por duhet me pasë parasysh që kemi shumë lëndë të cilat janë tresemestrale ose më shumë që d.m.th. ne sot shkojmë një lëndë që kemi me hy në provim pas një viti e gjysmë e që normalisht për neve është jo shumë interesonte për shkak që nuk e dimë shumë edhe për çka po folim edhe ligjëratat janë jo shumë interaktive, nuk mundemi më mbajtë koncentrimin e që normal mundemi të qëndrojmë 40 min, por pastaj humb koncentrimi, ligjëratat jo shumë interesonte, jointeraktive edhe për këtë arsye ka mungesë të studentëve nëpër ligjërata”, ka thënë një studente në kushte anonimiteti.

Besfor Racaj, kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë, ka përmendur dy arsye për këtë problem.

“Mundem me i theksu dy arsye kryesore të këtij fenomeni, pra mosvijueshmërisë së ligjëratave, që janë: ngarkesa në studime, sepse kemi ngarkesa më të mëdha sesa në fakultetet e tjera dhe arsyeja e dytë, siç e ceka më herët: mosinteraktiviteti në ligjërata nga profesorët”, ka thënë ai.

Për këtë janë ankuar profesorët e Fakultetit të Mjekësisë.

Profesoresha e këtij fakulteti, Hatixhe Latifi–Pupovci, thotë se problemi është bërë më i dukshëm viteve të fundit.

Ajo e konsideron si pengesë faktin që studentët janë të ngarkuar me përgatitjen e provimeve të mbetura nga vitet e mëparshme.

“Është një problem që ka ekzistuar edhe më parë, por tash është bërë më evidente mosardhja e studentëve nëpër ligjërata e arsyeja e mosardhjes në ligjërata qëndron në faktin se studentët përderisa tash dëgjojnë lëndë të tjera, përgatisin provimet e vitit paraprak ose provime të tjera dhe kjo e bën që studentët të mos vijnë me rregull në ligjërata dhe mendoj që problemi këtu qëndron tek ky faktor”, ka deklaruar Latifi-Pupovci.

Por të dhënat zyrtare për pjesëmarrjen e studentëve nuk i posedon as vetë Fakulteti i Mjekësisë.

Në një përgjigje për KOHËN thuhet se sistemi digjital për ndjekjen e vijueshmërisë nuk ka funksionuar.

“Për të përmirësuar dhe monitoruar pjesëmarrjen në mënyrë më transparente, Universiteti i Prishtinës ka nisur implementimin e një sistemi elektronik për menaxhimin e vijueshmërisë, i cili është menaxhuar nga Rektorati. Ky sistem është aktivizuar në fillim të këtij semestri por, për shkak të disa sfidave teknike, funksionimi i tij është ndërprerë përkohësisht. Nga e marta sistemi është reaktivizuar dhe do të vazhdojmë ta përdorim për të ndjekur pjesëmarrjen e studentëve në mënyrë të rregullt dhe të dokumentuar”, thuhet në përgjigjen e këtij fakulteti.

Nga Fakulteti i Mjekësisë njoftuan se me funksionalizimin e plotë të sistemit digjital, pritet të vendosen kritere të qarta për mospjesëmarrjen në ligjërata.

Studentët që nuk arrijnë përqindjen e kërkuar të vijueshmërisë nuk do të mund të paraqiten në provime.