Interesimi për studime në disa programe të Universitetit të Prishtinës ka rënë dukshëm krahazuar me 10 vjet më parë. Rënia e madhe vërehet në disa fakultete. E në Fakultetin e Edukimit, drejtuesit e saj kanë bërë thirrje për reforma dhe masa konkrete për të rritur interesimin për profesionin e mësimdhënësit. E në Ministrinë e Arsimit nuk e vlerësojnë gjithaq shqetësuese këtë situatë
3280 studentë më pak janë regjistruar në vitin akademik 2025/2026 krahasuar me dhjetë vite më parë në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin akademik 2016/2017, numri i studentëve të regjistruar ishte 10 mijë e 119, ndërsa në vitin akademik 2025/2026 ky numër ka rënë në 6 mijë e 839 studentë apo për 32.4 për qind.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRënie e numrit të studentëve vërehet edhe në Fakultetin e Edukimit.
Në programin Edukim Fillor, nga 1622 aplikime sa kishte në vitin akademik 2015/2016, numri i aplikimeve ka rënë në vetëm 239 në vitin akademik 2025/2026.
Edhe në drejtimin Pedagogji e Përgjithshme, para dhjetë vjetësh patën aplikuar 344 persona, ndërsa në vitin 2025 për këtë drejtim aplikuan vetëm 31 sosh.
"Në përgjithësi ekziston një trend i përgjithshëm i zvogëlimit të interesimit të studentëve. Programi që tradicionalisht ka qenë më atraktiv për nxënësit e shkollave të mesme ka qenë programi i Edukimit Fillor. Në këtë program, për shembull, në vitin 2020 kanë aplikuar 4.7 aplikantë për një vend të lirë, ndërsa në vitin 2025 ky interesim ka rënë në 2.6 kandidatë për një vend të lirë", ka thënë Blerim Saqipi, dekan i Fakultetit të Edukimit.
Saqipi ka theksuar se duhen masa konkrete nga Ministria e Arsimit për të ngritur nivelin e këtyre drejtimeve, duke përfshirë përkrahjen në punësim dhe aspektin financiar.
“Zhvillimet po shkojnë drejt një situate ku, në vitet e ardhshme, mund të përballemi me një mungesë të theksuar të kuadrove për shkollat tona. Kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e arsimit. Aktualisht nuk ka ndonjë analizë të kërkesave dhe nevojave për atë se çfarë kuadrosh ka nevojë sistemi shkollor, por ka edhe mungesë të theksuar të politikave dhe veprimeve konkrete se si mund t’i motivojmë gjeneratat e reja”, ka thënë ai.
Edhe dekani i Fakultetit të Arteve ka folur për këtë dukuri, por ka theksuar se, pavarësisht rënies së numrit të studentëve, nuk kanë probleme me plotësimin e kuotave.
"Megjithatë, mund të themi se trendi i rënies së numrit të studentëve gjatë viteve të fundit nuk është fenomen që prek vetëm fakultetin tonë, por është vërejtur në nivel më të gjerë në arsimin e lartë në vend. Pavarësisht kësaj, shumica e programeve tona të studimit vazhdojnë të plotësojnë kuotat e planifikuara të regjistrimit", ka deklaruar Hazir Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve.
Saqipi e Haziri kanë thënë se disa nga arsyet që numri i studentëve ka shënuar rënie, janë aspekti demografik, ulja e natalitetit, mundësitë e studimit dhe punësimi jashtë vendit, si dhe pagat e ulëta në këto profesione.
Nga Ministria e Arsimit ka thënë se kanë krijuar politika që synojnë forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës.
“Sa i përket ndikimit të këtyre politikave, legjislacioni ka krijuar bazën institucionale për funksionimin e sistemit, me mekanizma zbatues për zhvillimin dhe akreditimin e programeve. Akreditimi i programeve të reja të ndërlidhura me tregun e punës ka rritur perspektivën dhe interesimin e studentëve në fusha të caktuara. Përkrahja me bursa ka motivuar regjistrimin dhe rritjen e numrit të studentëve në programe të veçanta, si bursat STEM, bursat elitare, bursat për master, PhD dhe postdoktoraturë. Ndërkohë, Niveli V i studimeve ka përshpejtuar rrugën e të rinjve drejt tregut të punës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Sipas ministrisë, janë zhvilluar programe të reja ndërdisiplinore, janë forcuar qendrat për zhvillim të karrierës dhe janë mbështetur projekte e grante që kanë ndikuar në rritjen e punësueshmërisë së studentëve.
Aktualisht, numri aktiv i studentëve në Universitetin e Prishtinës është 22 mijë e 377.