Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Betohen asamblistët e rinj të Mitrovicës së Veriut, zgjidhet kryesuesi

Në Mitrovicë të Veriut më 14 dhjetor janë betuar asamblistët e rinj. Po ashtu Nexhat Uglanin nga radhët e komunitetit boshnjak është zgjedhur kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Nga 15 asamblistët e rinj, që dhanë betimin, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Ai është Dushan Millunoviq nga iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”. Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka 19 asamblistë në total.

Në fillim të muajit nëntor, kryetarët e katër komunave në veri, që vinin nga radhët e Listës Serbe, por edhe kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe asamblistët, dhanë dorëheqje.

Asamblistët e rinj, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të zëvendësojnë asamblistët e Listës Serbe, që u dorëhoqën.

Zyrtarët serbë dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Por, në ndërkohë Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën një marrëveshje për targat.

Edhe Kryetarët e komunave në veri zotohen për prosperitet të qytetarëve e bashkëpunim me Policinë Arbëri Kryetarët e komunave në veri zotohen për prosperitet të qytetarëve e bashkëpunim me Policinë

Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, zgjedhjet për kryetarë komune dhe ato për kuvende komunale në katër komunat në veri të Kosovës – të parapara të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor – janë shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm.

Që nga 6 dhjetori, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur tensionet. Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada, pas arrestimit të një ish-polici serb.

Për shkak të tensioneve, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri dhe autoritetet kanë mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. /REL