Arbëri

BE: Serbia do të ketë pasoja në rast të moszbatimit të Marrëveshjes

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të martën se pikat e Marrëveshjes dhe Aneksi do të përfshihen në Kapitullin 35 të kornizës së negociatave të anëtarësimit të Serbisë me BE-në dhe se ky është një obligim kontraktual i Serbisë nëse dëshiron përparim në procesin e integrimeve evropiane. Ai ka paralajmëruar pasoja në procesin e integrimeve evropiane dhe në aspektin e financave për Serbinë në rast se nuk respekton të gjitha pikat e marrëveshjes me Kosovën

Asnjëra palë, as Kosova e as Serbia, nuk mund të zgjedhin se çfarë duan të zbatojnë e çfarë jo nga Marrëveshja që është arritur dhe nga Aneksi, por duhet t’i zbatojnë të gjitha pikat, kanë thënë në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, duke i komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ai nuk do t’i zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes dhe se, siç është cituar nga mediat në Serbi, ai ua ka bërë të qartë bashkëbiseduesve evropianë se cilat pjesë të Marrëveshjes ai nuk do t’i pranojë.

Këto i ka thënë sot në Bruksel edhe zëdhënësi i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Petar Stano, në pyetjet se a janë të vlefshme Marrëveshja dhe Aneksi, pasi njëra palë qartë dhe publikisht thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj.

“Marrëveshja është gjallë dhe derisa ne nuk i komentojmë deklaratat e mundshme dhe kontekstin e saj, nuk duam të hyjmë as në komente. Mund të them se Serbia dhe Kosova janë pajtuar në Ohër që të nisin menjëherë implementimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe Aneksin. Kjo është ajo për çfarë janë pajtuar dhe është obligim politik i të dyja palëve dhe kjo është ajo që shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së presin nga ta”.

Ai ka thënë se pikat e Marrëveshjes dhe Aneksi do të përfshihen në Kapitullin 35 të kornizës së negociatave të anëtarësimit të Serbisë me BE-në dhe se ky është një obligim kontraktual i Serbisë nëse dëshiron përparim në procesin e integrimeve evropiane.

Stano ka thënë se Serbia do të ketë pasoja në procesin integrimeve evropiane, por edhe pasoja në reputacion, si dhe pasoja financiare në rast se nuk e zbaton ndonjë pjesë të Marrëveshjes.

Ai ka thënë se do të jetë kyç monitorimi nga ana e BE-së dhe vendeve anëtare për të parë se sa janë të besueshme si partnere Kosova dhe Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë marrë gjatë takimit në Ohër e më herët edhe në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve më 27 shkurt dhe për planin e zbatimit më 18 mars. Ndonëse nuk i kanë nënshkruar dokumentet, BE-ja ka thënë se marrëveshjet janë ligjërisht obliguese. Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat. Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.