Arbëri

Për BE-në, s’ka nevojë asnjë hap tjetër që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet

Edhe pse në vazhdimësi është përmendur si problem sekuencimi i Marrëveshjes së Ohrit për moszbatim, zyrtarë të BE-së i kanë thënë “Kohës” se palët janë të vetëdijshme se nuk kërkohet asnjë hap tjetër që ajo të bëhet e zbatueshme. Njohës të dialogut thonë se, referuar zhvillimeve të brendshme, në Serbi dhe atyre gjeopolitike, nuk pritet që dialogu të shënojë progres vitet në vijim

Asnjë hap tjetër nuk kërkohet për ta bërë të ligjshme dhe të zbatueshme për palët Marrëveshjen e Ohrit, kanë thënë zyrtarë të Brukselit. Por ata nuk kanë treguar se në cilën fazë është plani i sekuencimit, për të cilin emisari i BE-së për dialogun, Mirosalv Lajçak, vizitoi disa herë Prishtinën dhe Beogradin.  

“BE-ja dhe shtetet anëtare kanë qenë shumë të qarta se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është e detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe se nuk kërkohet asnjë hap tjetër që ajo të jetë në fuqi. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare presin që palët të zbatojnë urgjentisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të enjten. 

Më shumë se një vit prej arritjes së Marrëveshjes, asnjëra prej pikave të saj nuk ka gjetur zbatim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar zbatimin e saj si dhe miratimin e draftit të Asociacionit që më vonë Lajçaku ia dorëzoi, me nënshkrimin e të gjitha dokumenteve. Por Serbia ka refuzuar ta bëjë këtë, duke i shkruar edhe letër BE-së se nuk merr përsipër zbatimin e pikave, të cilat ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës qoftë “de jure” apo “de facto”. 

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, kundër zbatimit të pikave të Marrëveshjes që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës nuk është tërhequr. Këtë Bislimi ka thënë se ia ka konfirmuar i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në takimin e zhvilluar muajin e kaluar.

Më 6 shtator, pas një takimi, të cilin në Prishtinë e pati zhvilluar me Bislimin, Lajçaku pati thënë se letra e Bërnabiqit ishte tërhequr. 

“Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu dhe atje që nuk ndihmojnë fare. Por që marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe të Serbisë. Pra, është e vlefshme në të dyja anët. Jemi pajtuar për diçka, por nuk mund ta themi këtë, pa u koordinuar me të tjerët”, pati thënë Lajçaku. 

E, Stano ka deklaruar se janë duke punuar për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. 

“BE-ja si lehtësues i dialogut është duke punuar me palët drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. Parimi i konfidencialitetit është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”, ka shtuar Stano. 

Që prej arritjes së dakordimit më 27 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel dhe Aneksit më 18 mars në Ohër, nyja rreth zbatimit ka qenë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

Zyrtarë qeveritarë në disa raste u ankuan se vetë ndërmjetësit në dialog e kanë kushtëzuar zbatimin e pikave tjera të Marrëveshjes me Asociacionin.

Drejtori ekzekutiv në institutin “Epik”, Demush Shasha, ka thënë se ndonëse në kuadër të dialogut tema e Asociacionit ka qenë në epiqendër të tij, me ose pa të nuk mund të ketë pritje se dialogu do të shënojë progres në vitet ardhshme. Për këtë ai ka listuar dy arsye. 

“Në kuptimin e brendshëm, qoftë në Beograd qoftë në Prishtinë me kalimin e çdo muaji dhe çdo viti ne do të shohim mungesë të liderëve politikë të cilët do të kenë legjitimet të bollshëm për të marrë mbi supe barrën dhe koston që imponon progresi në dialog. Pra, është e pritshme që Lëvizja Vetëvendosje, zotëri Kurti, nuk do ta kenë një mbështetje në të ardhmen të cilën e kanë pasur që nga viti 2021. Është e pritshme që Vuçiqi në Beograd nga sot e tutje do të shënojë rënie në kuptimin e mbështetjes së tij”, ka thënë Shasha. 

Arsyeja e dytë, sipas tij, lidhet me aspektin e jashtëm. 

“E ajo është që me ardhjen qoftë të administratës Harris apo Trump ne do të jemi dëshmitarë të mungesës së vëmendjes së Shtëpisë së Bardhë në rajonin tonë. Pra nuk ka të bëjë kjo ekskluzivisht me Kosovën e Serbinë, por në përgjithësi rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk do të shihet si prioritet. Në rastin e administratës së Harrisit ajo që po shohim është një fokus shumë i madh drejt Kinës”, ka theksuar Shasha. “Ndërsa me administratën Trump do të jetë shumë vështirë të parashikosh çfarëdo pasi që për të rajoni ynë është totalisht i parëndësishëm dhe rrjedhimisht ajo që do të ndodhë është një cikël i menaxhimit të krizave që në fakt e kemi parë nga viti 2021 e deri më sot. Pra së paku deri në vitin 2030 duhet të presim që do shohim gjëra që kemi parë nga 2020-2021 deri më sot, pra një përsëritje e këtyre tre-katër vjetëve të fundit”. 

Shtete të Bashkimit Evropian, që janë po ashtu anëtare të Këshillit të Evropës i vunë parakusht Kosovës procedimin e draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, në këmbim të mbështetjes për pranim në Këshill.

Këtë qasje në BE e arsyetuan me vlerat që përfaqësojnë të dy organizatat. 

Pjesë e obligimeve që derivojnë nga Marrëveshja e vitit të kaluar janë edhe çështjet e diskutuara nga dialogu i kaluar.  

Marrëveshja e Parë e ashtuquajtur për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve, e arritur më 19 prill 2013, ende nuk është zbatuar plotësisht. Gjashtë pikat e para të saj i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015 ishte arritur marrëveshje tjetër mbi parimet e Asociacionit, të cilën Gjykata Kushtetuese e pati hedhur poshtë. 

Për këtë mekanizëm obligimet i morri përsipër edhe qeveria Kurti me Marrëveshjen Bazë të Brukselit. 
Zyrtarë evropianë ua kanë bërë të qartë palëve se moszbatimi i marrëveshjeve do të ndikojë në rrugët përkatëse drejt integrimit në BE. Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese, të cilat BE-ja ende nuk i ka larguar me gjithë insistimin e Qeverisë se ndërmori hapat e kërkuar për shtensionimin e situatës në veri.