Burri që fillimisht u dyshua se e kishte rrahur për vdekje mbikëqyrësin e një ndërtese në Brooklyn të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është liruar pa asnjë akuzë, ka njoftuar policia të premten. Burimet nga hetimet thonë se i dyshuari madje nuk kishte qëllim të vidhte ndonjë pako, siç u raportua fillimisht, shkruan “New York Post”.
Shqiptari Burim Havolli, 41 vjeç – refugjat lufte nga Kosova dhe mbikëqyrës i ndërtesës ku punonte prej 15 vjetësh – vdiq pas një përplasjeje me një burrë 30-vjeçar të mërkurën në mëngjes. Fillimisht u raportua se i riu e kishte goditur disa herë me telefon gjatë konfliktit.
Sidoqoftë, burimet hetimore sqaruan se përplasja mes tyre ka qenë kryesisht verbale, ndërsa goditjet me telefon nuk i kishin shkaktuar plagë viktimës.
Banorët fillimisht thanë se i dyshuari po përpiqej të vidhte një pako, pasi ndërtesa ishte përballur muajve të fundit me vjedhje të tilla. Por hetimet e mëvonshme treguan se ai nuk kishte tentuar të merrte asnjë pako.
Të dy, edhe Havolli edhe burri tjetër, kanë telefonuar policinë pas incidentit. Havolli – baba i tre fëmijëve– u dërgua me urgjencë në Qendrën Spitalore të Qarkut Kings, ku vdiq.
I dyshuari ishte mbajtur në paraburgim që nga incidenti, por u lirua të enjten vonë, pasi policia dhe prokurorët arritën në përfundimin se nuk kishte elemente të veprës penale.
Burime të hetimit thanë se Havolli mund të ketë pasur probleme të mëhershme shëndetësore, përfshirë çrregullime të zemrës, që mund të kenë çuar në vdekjen e tij.
Megjithatë, shkakun zyrtar pritet ta përcaktojë zyra e mjekësisë ligjore.