Policia dhe Prokuroria kanë nisur bastisjet në orët e para të mëngjesit të sotëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si vazhdimësi e rastit “Brezovica”.
Kështu ka bërë të ditur për Kohën kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili tregoi se aksioni është duke u zhvilluar në 10 lokacione. Sipas Jasharit aksioni për ndërtimet në Brezovicë është duke u zhvilluar në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë.
Jashari, ka njoftuar se në Ministrinë e Mjedisit po bastisen tri zyre.
{gallery}
Deri më tani Jashari tregoi se nuk ka të arrestuar.
“Po, është duke vazhduar aksioni. Aksioni është duke vazhduar në 10 lokacione përfshirë edhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor. Tani për tani nuk ka të arrestuar është duke vazhduar bastisja”, ka tregoi Jashari për Kohën.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se ky hetim është vazhdimësi e rastit “Brezovica”.
“Informacion zyrtar Prishtinë 06 janar 2022, Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente, është duke e realizuar një operacion, i cili është vazhdimësi e hetimit të rastit ‘Brezovica’. Ky operacion shtrihet në dy rajone, atë të Ferizajt dhe Prishtinës, ku përfshihen disa lokacione. Informacione shtesë do të jepen pas përfundimit të operacionit”, ka thënë ai.