Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë. Forcat policore janë duke kryer bastisje në katër lokacione.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se bastisjet janë kryer me urdhër të saj.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, ka thënë zëdhënësja Arbnora Luta për KOHËN.
VIDEO:
Prokurori i rastit, Admir Shala, në një deklaratë për mediat nga AZHB-ja ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Ai ka thënë se aktualisht janë në fazën e hetimeve, ndërsa detajet do të bëhen të ditura më vonë. Siç ka thënë ai bastisje po kryhen në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë, Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës.

E Ministria e Bujqësisë, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se është në dispozicion të plotë të organeve të rendit.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Për këto bastisje ka folur ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka deklaruar se beson që ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë punë të jashtëzakonshme, derisa u shprehur se “ka plan për të dëmtuar Pecin dhe Qeverinë Kurti”.
“Jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme sa ka qenë dhe sa vazhdon të jetë. S’ka asgjë për të fshehur, s’ka pasur asnjë ndërhyrje nga Peci. Kemi pasur rastin të diskutojmë mbi këtë çështje, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur këtë plan për të dëmtuar ministrin Peci, për të dëmtuar Qeverinë Kurti. S’ka asgjë për të fshehur, s’ka asnjë ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që të ftohet nga institucionet”, u shpreh Haxhiu për media pas dështimit të seancës së 22-të për konstituim të Kuvendit.
Peci përfundon intervistimin
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka përfunduar intervistimin gati pesë-orësh nga Prokuroria Speciale, ka mësuar KOHA nga burimet.
Pas intervistimit, Peci është liruar në procedurë të rregullt derisa hetimet vazhdojnë.
Peci u intervistua si i dyshuar për shkak të tenderit për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore.
Gjatë ditës, Prokuroria konfirmoi bastisje në katër lokacione.
Intervistim në cilësinë e të dyshuarit ka dhënë edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.
Gërvalla e quan “inskenim të Blerim Isufajt” intervistimin e Pecit
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe bashkëkryetarja e Listës GUXO, Donika Gërvalla, ka thënë se intervistimi i ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci nga organet e hetuesisë është “inskenim të gërditshëm” nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Gërvalla e cilësoi Pecin si “ministrin më shembullor të këtij mandati” dhe deklaroi se aksioni i së martës përbën “hakmarrje të shëmtuar” ndaj përpjekjeve të ministrit për të luftuar korrupsionin.
“Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale”, ka shkruar Gërvalla në një postim në Facebook të martën pasdite.
Ajo kritikoi ashpër organet e drejtësisë, duke thënë se ato po përdoren për të njollosur figura politike të pastra dhe për të ndëshkuar suksesin.
“Kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë,” përfundoi reagimin e saj Gërvalla.
Bashëkryetari i Listës Guxo, Faton Peci, po intervistohet nga organet e hetuesisë lidhur me tenderin për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore, pas aksionit të Policisë së mbajtur të martën. Po ashtu, është duke u intervistuar edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, çka është konfirmuar nga avokati i tij, Artan Çerkini.
Peci e Hoxha po intervistohen rreth dyshimeve për fabrikën për mbetje shtazore
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar nga organet e hetuesisë, pas aksionit të Policisë të mbajtur të martën për çështjen e tenderit për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore.
Intervistimin e tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Gjatë ditës, Prokuroria konfirmoi bastisje në katër lokacione.
Po intervistohet edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN avokati i tij Artan Çerkini.