1 perditesime
22:55

Haxhiu: Reagimi i Prokurorit të Shtetit i ngjashëm me atë të Beogradit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të papranueshëm reagimin e Prokurorit të Shtetit ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Prokurori i Shtetit i reagoi Sveçlës në lidhje me aksionin e sotëm të Policisë e prokurorisë, ku u arrestuan 10 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Reagimi i Prokurorit të Shtetit erdhi pasi Sveçla lavdëroi policinë për aksionin. Prokuroria këtë e quajti përzierje në kompetencat e saj dhe e ftoi atë të mos i jep ngjyrim politik aksionit.

Për Haxhiun, kjo mënyrë e të komunikuarit është e papranueshme.

”E papranueshme komunikata nga zyra e Prokurorit të shtetit kundrejt ministrit Xhelal Sveçla, sidomos kur një i ngjashëm erdhi në mëngjes nga Beogradi! Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviqit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme. Shtrohet pyetja se ku ishte prokuroria deri sot? Pse nuk vepruan më herët por vetëm pasi u dëmtua një pjesë e madhe e Brezovicës?, ka shkruar Haxhiu.

Arrestimet e sotme janë kryer edhe për degradimin mjedisor të Brezovicës, ndërtimet pa leje e vepra të tjera.

Prokuroria dyshon se vetëm ish-kryetari Nikoliq ka përfituar një milion euro në mënyrë të paligjshme.

20:07

Prokurori i Shtetit i reagon Sveçlës, i kërkon të shohë çdokush punët e veta

Prokurori i Shtetit i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili pak orë më parë lavdëroi aksionin e sotëm në disa qendra, e ku u arrestuan 10 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Prokurori i Shtetit e ka akuzuar Sveçlën se nuk bën që aksioneve të prokuriorisë t’u jep ngjyrime politike, ndërkohë e ka ftuar që çdokush të shohë punët e veta, sipas kompetencave që kanë.

Sveçla në postimin e tij në Facebook lavdëroi Policinë në këtë aksion të koduar “Brezovica”.

“Prokurori i Shtetit reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, i cili ashtu si edhe aksioneve të tjera të prokurorisë edhe rastin e ditës së sotme të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në komunën e Shtërpcës dhe më gjerë, mundohet që t’iu jap karakter politik. Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e Porokurorisë së Shtetit.

Po ashtu, në reagim ka edhe një ftesë për ministrin Sveçla.

“Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike. Në këtë kontekst, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive. Aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë”, thuhet në reagim.

Sveçla në postimin e tij tha se aksioni nuk ka të bëjë me asnjë emër të përveçëm e as me etni të caktuara.