Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla: S’do të lejojmë individët ta njollosin Policinë e Kosovës

Xhelal Svecla

Foto: Driton Paçarada

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk do të lejohet që individë të caktuar ta njollosin Policinë e Kosovës, pas suspendimit të tre policëve të dyshuar për ngacmim seksual dhe kontrollim të kundërligjshëm.

Sveçla ka mirëpritur angazhimin e përbashkët të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Policisë së Kosovës për hetimin e rastit, duke theksuar se çdo keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar do të dënohet pa kompromis.

“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që asnjë individ të njollosë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, që me profesionalizëm shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë. Misioni i Policisë së Kosovës është shërbimi ndaj qytetarëve dhe pa asnjë kompromis dënojmë çdo keqpërdorim që bëhet për çfarëdo përfitimi në emër të saj”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës ndërtohet mbi profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjësinë e saj.

Sipas ministrit, IPK-ja mbetet mekanizëm thelbësor i llogaridhënies, duke siguruar që çdo shkelje e mundshme të trajtohet me seriozitet dhe pa kompromis.

Gjatë ditës së sotme, IPK-ja rekomandoi suspendimin e tre policëve pasi dyshohet se në mesnatën e 15 tetorit, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen “Lakërishte” kanë ngacmuar seksualisht një shofere.  Sipas pretendimeve të ankueses, ajo ishte duke drejtuar veturën kur ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë, të cilët më pas i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.